Konferenca e ambasadorëve, krerët e shtetit bëjnë thirrje për përmirësimin e imazhit të Kosovës

25/06/2015 00:00

Në Prishtinë është mbajtur këtë të enjte konferenca e tretë e ambasadorëve të Republikës së Kosovës, me temë “Pozita e Republikës së Kosovës në raport me sfidat rajonale dhe globale”.

Edhe pse Kosova shihet si rrëfim suksesi në procesin e shtetndërtimit të saj, në krahasim me rajonin, duhet bërë ende shumë punë, në mënyrë që të përmirësohet imazhi i jashtëm i saj, u tha ndër të tjera në konferencë.

“Procesi i integrimit evropian është zgjedhja më e pazëvendësueshme, me ndikimin më të madh, në transformimin e ekonomisë dhe politikave tona. Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, ne duhet t’i përmbushim detyrimet tona, sepse vetëm atëherë do ta shtyjmë përpara vizionin e përbashkët të shtetit të qëndrueshëm dhe të gatshëm për integrim evropian dhe euroatlantik. E kam thënë disa herë se, ne nuk kërkojmë një rrugë më të shkurtër për në BE, por kërkojmë që, kur të jemi gati, edhe Bashkimi Evropian të jetë gati”, tha Atifete Jahjaga, Presidente e Kosovës.

“Ne duhet ta kemi të qartë se, konsolidimi i shtetit dhe përparimi në proceset integruese varen nga një faktor themelor. Ky faktor është zhvillimi ekonomik. Prandaj është urgjente, që ekonominë ta kthejmë në fokusin tonë kryesor, në agjendën kryesore të veprimeve dhe angazhimeve tona institucionale dhe shoqërore. Është e nevojshme, që ky përcaktim të shërbejë edhe si orientim strategjik i diplomacisë sonë. Me këtë nënkuptoj orientimin drejt diplomacisë ekonomike”, tha Kadri Veseli, kryetari I Kuvendit të Kosovës.

“Kemi thelluar reformat gjithëpërfshirëse, kemi punuar në fushat e tregtisë e bujqësisë, si prioritare për BE-në, dhe kemi qenë maksimalisht të angazhuar në dialogun me fqinjët. Pra sivjet, ne do të hyjmë në një proces formal të integrimit në Bashkimin Evropian dhe, tani e tutje, edhe pritjet e diplomacisë kosovare ndryshojnë, duke u fokusuar në aktivitetet e bazuara tek agjenda e Brukselit, që nënkupton edhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar”, tha Hashim Thaçi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme.

Gjithashtu, ai bëri të ditur se Kosova do të aplikojë në shumë organizata, duke bërë të qartë se dialogu i Brukselit nuk do ta pengojë Kosovën të jetë anëtare e organizmave të rëndësishme.

Prioritet tjetër u tha se është themelimi i ushtrisë së Kosovës dhe integrimi në NATO, për të cilin foli para ambasadorëve zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.

“Ne presim vendime të ndërlidhura për themelimin e ushtrisë së Kosovës, e ndërkohë kemi punuar me miqtë në Amerikë në përpilimin e draftit tonë të kërkesës për Partneritet për Paqe. Ky dokument do të qarkullojë këtë vit, në mënyrë që në samitin e ardhshëm të NATO-s të ketë përfshirje të Kosovës në ndërveprim të drejtpërdrejtë me NATO, jo vetëm si shtet pranues i KFOR-it, por edhe si shtet kontribues në sigurinë e Europës nga sfidat e sigurisë”, tha ndër të tjera ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi.

Top Channel