Situata me klandestinët tranzit, AP: Problem serioz për Maqedoninë

25/06/2015 00:00

Avokati i Popullit në Maqedoni, Ixhet Mehmeti, ka kërkuar nga qeveria, që t’i qaset më seriozisht situatës së krijuar me emigrantët nga Lindja e Mesme.

Ai tha se institucionet në vend duhet të bëjnë përpjekje më serioze për t’iu përgjigjur kësaj sfide, që – sipas tij, – përbën problem të madh për Maqedoninë. Mehmeti kritikoi ashpër edhe kushtet në Qendrën për Pritjen e Emigrantëve, në Shkup.

“Sa i përket qendrës për pranim, vendndodhja është e papërshtatshme, sepse gjendet në një vendbanim të mbipopulluar. Kushtet aty janë të këqija, qasja drejt atij vendi është e keqe, etj.”, tha Ixhet Mehmeti, Avokat i Popullit në Maqedoni.

Në debatin publik për fluksin e emigrantëve, që u zhvillua në Kuvend, zv.kryeministri për Çështjet Evropiane, Fatmir Besimi, ftoi institucionet e vendit, që t’i trajtojnë në mënyrë njerëzore refugjatët, që po kalojnë tranzit nëpër Maqedoni.

“Maqedonia nuk ka asnjë ndikim, lidhur me atë që ndodh në Lindjen e Mesme apo vendet e tjera të botës, me të tilla konfliktesh, por ka përgjegjësi si vend anëtar i Kombeve të Bashkuara dhe nënshkruese e të gjitha konventave ndërkombëtare, për të shprehur solidaritetin ndaj emigrantëve”, tha Fatmir Besimi, zv.kryeministër i Maqedonisë.

Sipas të dhënave të policisë, mbi 2500 refugjatë në ditë kalojnë kufirin me Maqedoninë. Emigrantët nga Lindja e Mesme, që hyjnë nga Greqia për në Maqedoni, synojnë që përmes Serbisë të kalojnë në shtetet evropiane. Por, gjatë rrugëtimit të tyre, ata po hasin probleme të shumta në kufirin mes Maqedonisë dhe Serbisë, ku autoritetet serbe po pengojnë refugjatët të kalojnë në territorin e tyre.

Top Channel