Përballje Thaçi-Haradinaj në Kuvend, për shënjimin e kufirit me Malin e Zi

25/06/2015 00:00

Shënimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Malit të Zi ka ngjallur debate të ashpra në Kuvendin e Kosovës, gjatë interpelancës së zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, të ftuar nga deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Kryediplomati kosovar, Hashim Thaçi, tha se përcaktimi i kufirit me Malin e Zi është në proces e sipër dhe – sipas tij, – do të bëhet në përputhje me ligjet dhe regjistrat kadastralë të Kosovës. Ai shtoi gjithashtu se Kosova, për herë të parë po vendos vetë për kufijtë shtetërorë.

“Asnjë kufi ku jetojnë shqiptarët nuk është përcaktuar me vullnetin e shqiptarëve. Deri më sot jo. As në 1912-n, as në ’18-n, as gjatë periudhave të dy luftrave botërore, as në ’45-n, as në kohën e Titos, sepse ju e dini që edhe ata kanë biseduar me Rugovën. Për herë të parë në historinë tonë po vendosim për kufinjtë tanë, siç kemi vendosur me Maqedoninë, do të bëjmë edhe me Malin e Zi”, tha Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Por nismëtari i interpelancës, udhëheqësi i AAK-së Ramush Haradinaj paralajmëroi Thaçin se, nëse me këtë përcaktim kufinjsh Kosova humb – siç pritet, – qindra hektarë tokë të banorëve të Rugovës, atëherë kjo gjë nuk do të tolerohet.

“Kam një pyetje për ju. A shihni ndonjë mundësi ju, që duke e kthyer vijën kufitare aty ku ka qenë në 1974-tën, të na thoni që s’kemi humbur metra katrorë. Përndryshe do të dilni keq. Ata njerëz që jetojnë atje thonë që jemi qytetarë të Kosovës dhe ju që jeni këtu e dini këtë gjë. Nuk besoj se Malit të Zi i vlen kjo gjendje. Ata janë duke bërë një gabim të madh nëse shkojnë në këtë drejtim, për shkak se nuk do të lejojmë të kalojë me kaq, kijeni parasysh”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Akuza për pronat dhe marrëveshjet ndërshtetërore, që ka realizuar ish-qeveria e Thaçit, ka pasur edhe nga deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“I njëjti njeri, i cili në prill të vitit 2013 bëri pazar me Daçiçin, apo atë marrëveshje, nëpërmjet së cilës hodhën themelet e Zajednicës serbe brenda Kosovës, e kundër Kosovës. Pikërisht në prill të vitit 2013, kur Thaçi nënshkroi marrëveshjen me Daçiçin, u bënë 100 vite nga prilli i 1913-s, kur Esat Pashë Toptani ia dha Shkodrën Malit të Zi”, u shpreh Albin Kurti, deputet i Vetëvendosjes.

“Sa i përket historisë dhe dëshirave që do të kishim ne këtu, për mua, që nga ‘Molla e kuqe’ e deri në Tivar unë i konsideroj në rregull, por a mund t’i mbani? Megjithatë flisni realitetin dhe sesi duhet të ndërtojmë fqinjësinë e mirë, sesi t’i hapim perspektivat euroatlantike vendit dhe jo të flisni sa për të fituar ndonjë votë, sepse edhe kështu, rugovarët nuk i ndërrojnë partitë shpesh”, tha më tej Hashim Thaçi, zv.kryeministër i Kosovës.

Pas debatit, përfaqësuesit e grupeve parlamentare hartuan një rezolutë të përbashkët, e cila parashikon që ekipet, të cilat punojnë për shënimin e kufirit Kosovë-Mali i Zi, të raportojnë në Kuvend për punën e bërë deri tani dhe të paraqesin hartat e detajuara, në mënyrë që deputetët të informohen para se përcaktimi i kufirit të ratifikohet në Kuvend.

Me kërkesë të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, Kuvendi futi në rezolutë edhe një pikë, që mundëson nisjen e përcaktimit të kufirit edhe ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë.

Top Channel