Gonzalo Jara pezullohet nga Kupa e Amerikës

25/06/2015 00:00

Kili mund të jetë kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës, edhe falë sjelljes aspak sportive të mbrojtësit Gonzalo Jara, por ky i fundit nuk do të jetë në gjendje të ndihmojë kombëtaren e tij në vazhdim të këtij kompeticioni.

Disiplina ka vendosur ta pezullojë Jaran, i cili nuk u ndëshkua për shkak të provokimit të tij, duke i vënë gishtin në fundshpinën e Cavanit.

Gjesti i tij nuk u pa nga gjyqtari i ndeshjes, ndërsa për raste të tilla lejohet të merren masa ndëshkuese duke shfrytëzuar pamjet televizive.

Sulmuesi i PSG-së deri në ato momente ishte ndëshkuar me një të verdhë, ndërsa pas reagimit ndaj Jaras u ndëshkua me të dytin dhe të kuqin automatikisht.

Duke qenë me një lojtarë më shumë në fushë, Kili e shfrytëzoi avantazhin që erdhi pas sjelljes së Jaras dhe kaloi në epërsi tetë minuta para se të përfundonte ndeshja.

Top Channel