Suedi, arrestohet Baftjar Bruka. I dyshuar si pjesëtar i grupit të tritolit, i shpallur në kërkim

25/06/2015 00:00

Baftjar Bruka, një nga të dyshuarit si pjesë e grupit, që vendosën tritolin në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është arrestuar mesditën e së enjtes në Stockholm të Suedisë.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se, fillimisht nga autoritetet suedeze mbërriti informacioni se është ndaluar një shqiptar, karakteristikat e të cilit përputhen me ato të Baftjar Brukajt.

Pas marrjes së këtij njoftimi, strukturat e Policisë janë vënë menjëherë në lëvizje për të dërguar te homologët suedezë të gjitha të dhënat, lidhur me të dyshuarin si pjesë e grupit të vënies së tritolit, për të provuar plotësisht nëse personi i ndaluar është Baftjar Bruka, apo jo.

Pas verifikimeve ka rezultuar se, bëhet fjalë pikërisht për Baftjar Brukajn, për të cilin tashmë Interpol Suedia dhe Interpol Tirana do të nisin procedurat për ekstradimin e tij në Shqipëri. Pak ditë më parë, Policia e Shtetit arrestoi Vladimir Gjutën, personin e dyshuar si organizatorin e kërcënimeve ndaj ministrit Tahiri.

Top Channel