Numërimi drejt fundit, Luzi: Proces i kënaqshëm

25/06/2015 00:00

Përpara mbylljes së numërimit edhe të 167 kutive të fundit nga 5301 në të gjithë vendin, për anëtarë të këshillave bashkiakë, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vlerësoi procesin e 21 qershorit si të kënaqshëm.

Në këtë të fundit, numri një i institucionit më të lartë zgjedhor, vlerësoi procesin e numërimit që ka kaluar pa problematika, përjashtuar vetëm KZAZ-në e Malësisë së Madhe. Në këtë vlerësim Luzi përfshiu edhe numrin e pakët të kutive të parregullta.

“Janë deklaruar kuti votimi, të marra në dorëzim si të parregullta, vetëm dy kuti për kryetarë, deri më tani, të dorëzuara nga KZAZ e Lezhës, dhe dy kuti për këshillat bashkiak, një në KZAZ 12, bashkia Lezhë, dhe një në KZAZ 47, Bashkia Elbasan”, tha Luzi,

Kryetarja e KQZ bëri me dije mbylljen e procesit në Bashkinë e Vorës.

“Unë them me kënaqësi që Bashkia e Vorës është përmbyllur plotësisht, si për kryetarë ashtu edhe për këshillin. Nëse procesi i hapjes së materialeve zgjedhore, është apo jo vepër penale, apo shkelje, këtë do ta konsiderojmë më vonë, kur materialet të mbërrijnë këtu”, deklaroi Luzi.

Në zgjedhjet e së dielës, morën pjesë 48 për qind e shqiptarëve me të drejtë vote, nga të cilët 44 për qind ishin femra.

Top Channel