Kili-Peru, gjysmëfinalja e parë e Kupës së Amerikës

26/06/2015 00:00

Peruja është kundërshtari i Kilit në gjysmëfinalen e Kupës së Amerikës, pasi mposhti 3-1 Bolivinë.

Ish-lojtar i Bajernit të Mynihut dhe Hamburgut, Jose Paolo Guerrero, i cili aktualisht është lojtar i Flamengos në Brazil ishte njeriu i ndeshjes, duke shënuar 3 gola, në minutat 21, 23 dhe 75.

Pavarësisht dy golave të shpejtë, bolivianët nuk u dorëzuan për asnjë minutë, madje arbitri i mohoi edhe një penallti të pastër në minutën e 69. Megjithatë edhe goli i vetëm i tyre erdhi pikërisht nga pika e bardhë në minutën e 84 me anë të Morenos.

Tashmë Peruja do të ndeshet në gjysmëfinale të këtij kompeticioni ndaj Kili, të cilët u kualifikuan një ditë më parë, pas fitores 1-0 ndaj Uruguajit.

Fituesit e çifteve Argjentinë-Kolumbi dhe Brazil-Paraguai do të vendosin gjysmëfinalen tjetër. Ndeshja finale e Kupës së Amerikës, që këtë vit zhvillohet në Kili, do të luhet më 4 korrik.

Top Channel