Lazarat, vijon kontrolli i imtësishëm shtëpi më shtëpi

26/06/2015 00:00

Forcat RENEA dhe ato të FNSH-së kanë rinisur në orët  e para të mëngjesit operacionin në fshatin Lazarat.

Me mjete të blinduara dhe shumë forca në terren vazhdon kontrolli banesë më banesë për të gjetur armët dhe personat e “grupit të zjarrit”, dhe veçanërisht vrasësit e efektivit të policisë, Ibrahim Basha.

E para që është kontrolluar ishte banesa e vëllezërve Aliko, të akuzuar si anëtarë të “grupit të zjarrit”, si dhe banesa e Sebastian Shurdhit. Ky i fundit u dorëzua në Fier dhe është shoqëruar nga policia në Komisariatin e Gjirokastrës. Kontrollet po vazhdojnë në çdo banesë me shumë imtësi dhe me masa të rritura vigjilence. Policia kërkon dorëzimin e të kërkuarve dhe, nëse ata reagojnë me armë, do të asgjësohen.

Ky paralajmërim ka bërë efekt tashme, sepse një pjesë e të shpallurve në kërkim nga ana e policisë janë arrestuar ose vetëdorëzuar në postbllokun e policisë, që ndodhet pranë fshatit Lazarat.

Policia njoftoi në mbëmje se janë arrestuar gjithashtu Klodian Selimi dhe Aleksandër Basha. I pari është në listën e personave të kërkuar. Ai fshihej në një banesë pranë vendit ku u qëllua Ibrahim Basha, në bodrumin e një banese pranë të afërmve të tij.

Policia dyshon se personi kryesor që ka drejtuar këtë sulm është Albion Aliko, person me precedentë të theksuar penalë. Ndaj tij, 8 ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet së bashku me 15 persona të tjerë, banorë të Lazaratit. Ai do të gjykohet në mungesë për krijim dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale, kultivim të lëndëve narkotike, armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë. Një tjetër person që konsiderohet tejet i rrezikshëm është vëllai i tij, Albano Aliko.

Përmes një njoftimi të mëhershëm, Policia e Shtetit bëri të ditur se gjatë kontrolleve të kryera nga forcat RENEA, janë shoqëruar në polici 45 persona, 2 prej të cilëve janë arrestuar, 24 vijojnë të merren në pyetje nga grupi hetimor, ndërsa 18 të tjerë janë lënë të lirë.

Ndërkohë, mëngjesin e së enjtes një grup hetimor i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, i kryesuar nga prokurori Adnan Xholi, mbështetur nga forcat RENEA ishte në vendin e vrasjes së efektivit të policisë.

Janë gjetur rreth 10 vatra nga është qëlluar me armë, ku janë sekuestruar mbi 100 gëzhoja kallashnikovi dhe mitralozi, një granatë dhe një thikë. Sipas policisë, operacioni do të vijojë deri në kapjen e personit të fundit në kërkim edhe përballjen e tyre me forcën e ligjit.

Top Channel