Gjykata Speciale, Kuvendi vazhdon debatet. Opozita, kundër: Kujtoni masakrat serbe

26/06/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës pritet që të votojë sot për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të gjykojë krimet e supozuara të ish-pjesëtarëve të UÇK-së. Kjo temë ka shkaktuar ndarje të thellë mes pozitës dhe opozitës. Seanca, që ka nisur rreth orës 10, po vazhdon ende në kuadër të debateve pro dhe kundër.

Deputetë nga radhët e opozitës rikthyen në vëmendje dhjetëra masakra të kryera ndaj popullatës civile nga forcat ushtarake e paraushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, për të cilat nuk është gjykuar askush.

Në këtë mënyrë, ata ftuan kolegët e tyre të mos e votojnë Gjykatën Speciale, e cila në vështrimin e opozitës, përveç se është selektive, cënon edhe sovranitetin e Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca foli për masakrën në familjen Deliaj, ku u masakruan 23 anëtarë të familjes, ndërsa theksoi se nuk do të votojë për Gjykatën Speciale edhe nëse kjo gjë do të shkaktonte fundin e botës.

Deputeti Ramush Haradinaj tha se, Gjykata Speciale e bën Kosovën monstër para botës. Ndërsa Fatmir Limaj tha se, nëpërmjet këtij mekanizmi, do të ketë ndarje të thella mes qytetarëve dhe vetë politikës, sepse – sipas tij, – disa po votojnë për ta ruajtur sovranitetin, e disa të tjerë po e cënojnë atë me votën e tyre.

Për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, votimi i Gjykatës Speciale rrjedh nga letërkëmbimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Baroneshës së BE-së, Catherine Ashton, vitin e kaluar. Sipas tij, propozimi, siç e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese, nuk e cënon Kushtetutën e Kosovës dhe lirinë e individit.

Zëvendëskryeministri Thaçi ripërsëriti se, Gjykata Speciale do t’i pastrojë njollat mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai kujtoi se, nëse Kosova nuk do ta votojë gjykatën, atëherë procesi do të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Janë të paktën 25 deputetë, të cilët e kanë kërkuar fjalën për të folur për këtë çështje. Kuvendi i Kosovës fillimisht do të votojë për ndryshimin e Kushtetutës. Pas kësaj, Qeveria e Kosovës do të zhvillojë një mbledhje për procedimin e ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvend, i cili pritet të votohet gjithashtu sot.

Top Channel