DASH, vërejtje serioze Maqedonisë për shkeljen e të drejtave të njeriut

26/06/2015 00:00

“Problemet më me rëndësi që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dalin nga korrupsioni dhe nga dështimi i pushtetit që të respektojë tërësisht sundimin e të drejtës, duke përfshirë edhe përpjekjet konstante për kufizim të lirisë së mediave, ndërhyrjes në gjyqësor dhe ndjekjes selektive penale”, thuhet në raportin e rregullt vjetor të publikuar nga Departamenti i Shtetit Amerikan për të drejtat e njeriut në botë.

DASH vlerëson se sistemin gjyqësor në Maqedoni e karakterizojnë ndërhyrja politike, jo efikasiteti dhe favorizimi i personaliteteve të etabluar në shoqëri, proceset e tejzgjatur, shkelja e së drejtës së procesit publik gjyqësor dhe korrupsioni.

Mes problemeve tjera në lidhje me të drejtat e njeriut, qeveria amerikane nënvizon edhe keqtrajtimin fizik të të paraburgosurve dhe të burgosurve nga ana e policisë dhe zyrtarëve të burgut, si dhe kushtet e këqija nëpër burgje dhe institucionet psikiatrike.
 
Lidhur me lirinë e shprehjes dhe të shtypit, Departamenti Shtetëror Amerikan pohon se presioni qeveritar mbi mediat akoma është problem, dhe vlerëson se ka shumë akuza adresuar qeverisë se ajo në mënyrë selektive ndjek penalisht personalitete mediatike opozitare dhe ndërhynë në procedura të shumta gjyqësore për shpifje, të ngritura nga ish personalitete qeveritare.

Top Channel