Basha njeh PPE-në me shqetësimet e opozitës për zgjedhjet

26/06/2015 00:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mori pjesë në takimin e Partive Popullore Europiane, i cili i paraprin, si zakonisht, samitit europian të krerëve të shteteve dhe qeverive të BE-së.

“Në bisedimet e mia tema dominuese ishin zgjedhjet në Shqipëri. Bashkëbiseduesit, krerët e qeverive dhe partive popullore të Bashkimit Europian, kanë ndarë shqetësimin e thellë për dhunimin e standarteve zgjedhore, siç u konstatua dhe nga raporti paraprak i OSBE/ODIHR dhe i pêrfaqësuesve të Këshillit të Europës  dhe ambasadave të huaja në Tiranë”, tha Basha.

Kreu i opozitës numëroi shqetësimet e tij për zgjedhjet dhe deklaroi se ‘rezutati i prishur’ i tyre nuk do të njihet zyrtarisht nga Selia Blu.

“Raste të mirëdokumentuara nga opozita, nga PD, të bëra të njohura dhe institucioneve ndërkombëtare, ndonëse jo gjithmonë medias për shkak se ne nuk donim t’intimidonim zgjedhësit tanë, e megjithatë, pavarësisht këtyre rrethanave, pavarësisht këtij presioni të jashtëzakonshëm, opozita shqiptare, PD ia ka dalë me rezultatin formal, që sigurisht është shumë më i ulët se ç’do të ishte rezultati real pa këto presione, pa këtë makineri presioni shit-blerje të votës, angazhimit të krimit, ia ka dalë të rrisë mbështetjen e saj, ndërkohë që mbështetja për qeverinë dukshëm ka rënë, siç tregojnë dhe shifrat e publikuara nga KQZ në votimet për kandidatët”, deklaroi kreu i PD.

Basha ripërsëriti kritikat ndaj procesit dhe ndaj dy krerëve të mazhorancës, Rama dhe Meta.

“Nuk ka asnjë mundësi që ne të njohim abuzimin e jashtëzakonshëm të bërë në këto zgjedhje përmes përdorimit të kontigjentit kriminal, përdorimit të parave, kapjes së institucioneve, intimidimit të votuesve, përdorimit të administratës publike. Do të ishte tradhti e madhe për qytetarët shqiptarë, për demokracinë shqiptare që ne të mbyllnim sytë përpara këtij realiteti. Ndaj beteja jonë do të jetë pikërisht për të vënë përpara përgjegjësisë ligjore dhe politike ata që guxuan të shkelin mbi vullnetin e lirë të zgjedhësve shqiptarë dhe të shkelmojnë standardet demokratike. Sigurisht, dyshja Rama-Meta është arkitektja e shkatërrimit të standardeve demokratike dhe Partia Demokratike bashkë me opozitën, bashkë me qytetarët e lirë shqiptarë do të jetë në një betejë pa kthim për ta vënë këtë dyshe përpara përgjegjësisë që i takon. Jam i bindur që në këtë betejë kemi mbështetjen e plotë të institucioneve ndërkombëtare. Nga ana tjetër, Partia Demokratike është sjellë si një parti që respekton shtetin ligjor,që respekton kornizën institucionale të vendit, ka kryer detyrat e saj para ligjit, vazhdon t’i kryejë edhe në këtë moment që flasim, por kjo nuk na pengon dhe nuk do të na pengojë kurrë që të luftojmë, siç e thashë, me çdo çmim për të mbrojtur demokracinë shqiptare, që kalon domosdoshmërisht  përmes rikthimit të standardeve që u fshinë me zgjedhjet e 21 qershorit”, deklaroi Basha.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel