Spiunazhi i NSA-së kris marrëdhëniet Paris-Uashington?

26/06/2015 00:00

Edhe pse Barack Obama e siguroi homologun francez se Amerika nuk e spiunon më Francën, gjurmët e asaj çfarë ka ndodhur në të shkuarën do të mbeten.

Për shefin e diplomacisë gjermane, Frank Walter Steinmeier, përgjimi i liderëve francezë prej NSA-së do të ndikojë në marrëdhëniet mes Parisit dhe Uashingtonit.

“Veprimet e shërbimit sekret amerikan me shumë gjasë kanë për të shkaktuar një acarim të madh në Francë”, mendon Steinmeier.

Të martën në mbrëmje, kur u bënë të njohura përgjimet e NSA-së ndaj disa presidentëve francezë, ministri i Jashtem gjerman ndodhej në Paris për bisedime me homologun francez Laurent Fabius.

Pala gjermane, sipas Steinmier, është më e përgatitur për lajme të tilla, sepse “disa kohë më parë mësoi se ka qenë vetë subjekt i aktivitetit të shërbimeve sekrete amerikane”.

Por në Francë irritimi është i madh. Shenjat u panë qartë që në fillim: politikanë vendas e figura të tjera të rëndësishme i zënë radhën njëri-tjetrit nëpër televizione për të shprehur indinjatën e thellë nga përgjimet e Shteteve të Bashkuara.

Ambasadori amerikan u thirr për të dhënë shpjegime; Hollande i telefonoi Obamës dhe një nga shefat e shërbimeve të inteligjencës u nis për në Uashington.

Të gjitha këto tregojnë një krisje, por sesa e thellë do të jetë ajo në vazhdim, kjo mbetet për t’u parë. Në fakt, edhe francezëve nuk duhet t’u vinte i papritur ky lajm pasi kabllogramat e mëhershme të Wikileaks i kanë treguar me kohë se, ashtu si shumë të tjerë, edhe ata janë spiunuar nga Amerika.

Rregulli i pashkruar, thotë BBC, është se po u kape me “presh në duar”, atëherë duhet të përgatitesh për dënim publik. Vetëm se pas kuintave, jeta vazhdon fare normalisht, ashtu si më parë.

E vërteta është se shërbimet e fshehta amerikane dhe ato franceze gëzojnë një nivel të lartë bashkëpunimi dhe varësie të ndjërsjellë, të cilat Parisi zyrtar, sipas analistëve, as që e mendon t’i vërë në rrezik.

Top Channel