Hollande: Ngjarja, sulm i pastër terrorist. Agresorët donin të hidhnin në erë ndërtesën

26/06/2015 00:00

Presidenti Francois Hollande konfirmoi se incidenti në një fabrikë në jug-lindje të Francës, i cili tronditi sot mbarë vendin e i risolli kujtimet e sulmeve të janarit, ishte një akt i pastër terrorist.

Një trup është gjetur, deklaroi shefi i Elizesë, dhe një kokë e prerë e shoqëruar me një mesazh në gjuhën arabe. Një nga të dyshuarit për këtë episod tmerrues është arrestuar dhe duket se nuk ka qenë i panjohur për forcat e rendit.

Mësohet se 30-vjeçari, që nuk kishte me vete dokumente identifikimi, refuzon të flasë. Koka e prerë, sipas policisë, ishte vënë në kangjëllat e derës së kompleksit të gazit dhe kimikateve “Air Products” në lokalitetin Saint Kuentin Falavie, pranë Lionit. Në afërsi të saj u gjet një flamur islamik.

Dy agresorët, sipas Hollande, e kishin vënë në shënjestër fabrikën, ndaj të cilës përplasën një makinë.

“Nuk kemi asnjë dyshim se qëllimi ishte të shpërthenin ndërtesën. Ky episod ka të gjitha shenjat e një sulmi të pastër terrorist. Të gjithë e mbajmë mend ç’ka ndodhur më parë në vendin tone”, deklaroi Hollande.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve mbërriti shumë shpejt në vendngjarje, ndërsa vetë Hollande, i cili ndodhet në Bruksel për samitin e liderëve të BE-së, tha se do të largohet prej andej gjatë orëve të pasdites e do të kthehet në Francë.

Sulmi, sipas mediave vendase, ka ndodhur diku rreth orës 10 të mëngjesit me orën lokale. Gazeta rajonale “Le Dauphine Libere”, përmend faktin që një burrë ishte parë në orët e para të ditës duke lëvizur disa herë me makinë përpara godinës.

“Le Monde” nga ana tjetër citon burime të paidentifikuara të pohojnë se kane parë dy burra të përplasnin një automjet ndaj ndërtesës, duke shkaktuar një shpërthim. Ende nuk ka një numër të saktë për të lënduarit.

Top Channel