Tunizi, shkon në 37 numri i viktimave nga sulmi terrorist në plazhet e Sousse

26/06/2015 00:00

Një i armatosur i maskuar si turist ka hapur zjarr në një prej hoteleve bregdetare të Tunizisë këtë të premte, me një armë të cilën e kishte fshehur nën një çadër, duke lënë të vdekur të paktën 37 persona, përfshi këtu turistë britanikë, gjermanë dhe belgë, të cilët ishin shtrirë në rërën e plazhit dhe pranë pishinës, në një prej qytet-resorteve më të populluara të vendit.

Turistët e tmerruar vrapuan për t’u fshehur ku të mundeshin, pas të shtënave dhe një shpërthimi që ndodhi në hotelin Imperial Marhaba të qytetit turistik Sousse, 140 km në Jug të kryeqytetit Tuniz, përpara sesa policia të qëllonte për vdekje, siç bëjnë të ditur dëshmitarë dhe zyrtarë të shërbimeve të sigurisë.

Sulmi ndodhi gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, në të njëjtën ditë kur një personi i prenë kokën dhe ia mbushën trupin me shkrime arabisht në Francë, si dhe një kamikaz la të vdekur të paktën dhjetëra viktima në një xhami të Kuvajtit, ndërkohë që në Veri të Sirisë raportohen edhe 145 civilë të masakruar prej militantëve të ISIS.

Ky i së premtes ishte sulmi i dytë i këtij lloji në Tunizi, brenda këtij viti, pas sulmit të militantëve islamikë në Muzeun Bardo të Tunizit, ku persona të armatosur vranë 21 vizitorë të huaj.

Trupi i njërit prej agresorëve qëndronte i shtrirë përtokë, së bashku me një automatik Kallashnikov, ndërkohë që mediet lokale thonë se policia ka kapur agresorin e dytë, por zyrtarët e zbatimit të ligjit ende nuk e kanë konfirmuar arrestimin e tij, apo rolin që ka pasur në sulm.

“Një agresor hapi zjarr me kallashnikov ndaj turistëve dhe tunizianëve buzë detit në hotelin tonë”, tha një punonjës i hotelit. “Ishte vetëm një agresor, ishte në moshë të re dhe kishte veshur pantallona të shkurtra, si të ishte edhe vetë një turist”.

Rafik Chelli, një zyrtar i lartë i Ministrisë së Brendshme, tha se agresori i vrarë ishte student, i panjohur për autoritetet dhe nuk bënte pjesë në listat e vëzhgimit apo të kërkimit nga policia.

Përveç të shtënave me armë, në plazh dhe në pishinën e hotelit, ai shpërtheu edhe një pajisje shpërthyese, ndërkohë që burime të forcave të sigurisë thonë se një tjetër bombë e pashpërthyer iu gjet në trup. Veç viktimave, edhe 6 të tjerë janë plagosur gjatë të shtënave, bëjnë të ditur zyrtarët.

Askush nuk e ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit deri më tani, por xhihadistët islamikë kanë sulmuar shpesh në të kaluarën vendet turistike të Afrikës së Veriut, për shkak se i shohin ata si përfaqësues legjitimë të stilit perëndimor të jetesës dhe tolerancës ndaj alkoolit.

Sousse, që ndodhet pranë Hammamet dhe ishullit të Djerba-së, është resorti më turistik i Tunizisë dhe më popullori për shkak të plazheve. Atë e vizitojnë turistë nga Europa, por edhe vendet fqinje të Afrikës së Veriut, si Algjeria.

Top Channel