Berisha hedh hije dyshimi mbi operacionin në Lazarat: Pse policia veproi me vonesë?

26/06/2015 00:00

Ish-kryeministri Sali Berisha u është rikthyer edhe njëherë tjetër ngjarjeve më të fundit në Lazarat. Përmes një postimi të gjatë në faqen e tij në “Facebook”, Berisha hedh hije dyshimi mbi aksionet e policisë, me zanafillë një vit më parë.

“Lazarati ishte kronikë e një ngjarje të paralajmëruar. Dyshohet se policia, si herën e parë, u hapi shteg të lirë banditëve, të cilët këtë radhë vranë oficerin Ibrahim Basha dhe terrorizojnë Lazaratin”, shkruan Berisha.

Ish-kryeministri thotë se 21 personat e grupit të zjarrit, që ndodhen në listën e të kërkuarve të policisë, pasi janë ndaluar e janë lënë sërish të lirë.

“Sot, pothuaj shume prej tyre, janë lënë të lirë, disa gjendeshin në qytete të tjera, në burg ose shkuan dhe u dorëzuan vetë ose nga familjarët e tyre”, thotë Berisha.

Ish-kryeministri u rikthehet ngjarjeve të një viti më parë, kur hedh dyshime për operacionin antidrogë.

“Pasi policia shpalli listën e personave në kërkim të grupit të zjarrit, Saimir Tahiri thirri në prani të 5 personave tjerë, ndër ta dhe prokurorë që ndiqnin çështjen, kryetarin e Komunës Dasho Aliko dhe i kërkoi t’u përcillte banditëve mesazhin e tij, që të largoheshin nga shtegu i lënë i lirë për këtë qëllim nga policia. Kryetari i komunës, Dasho Aliko refuzoi të kryente këtë detyrë kriminale dhe i tha Tahirit që nëse donte, t’i njoftonin ata, pasi ai nuk do i njoftonte kurrë”, shkruan Berisha.

Berisha akuzon ministrin Tahiri se po përpiqet të realizojë të njëjtin skenar edhe këtë vit, por me një ndryshim. Sipas tij, reagimi i policisë në ditën e parë të operacionit dhe vendosja e rrethimit të fshatit me shumë vonesë të bën të dyshosh.

“Kësaj radhe Tahiri nuk thirri Dasho Alikon për t’i kërkuar të njëjtën gjë si një vit më parë. A ia ngarkoi ai këtë detyrë ndonjë tjetri apo vrasësit ikën, sepse ditën e parë pas vrasjes së oficerit operacioni i policisë ishte pothuaj inekzistent? Kjo duhet hetuar. Mosveprimi i policisë pas vrasjes dhe vendosja e rrethimit të fshatit me shumë vonesë, ka ngjallur dyshime të forta tek banorët”, deklaron Berisha.

Ish-kryeministri shkruan se “banorët e Lazaratit janë të terrorizuar nga banditët, që ata besojnë se jetojnë në pyllin e Sopotit si kaçakë, apo që fusin armë në fshatin e tyre. Ata nuk flasin dot për ta, sepse i tremben hakmarrjes së tyre të egër, pasi ata nuk janë pa lidhje me pushtetin dhe policia nuk i arreston”.

Berisha i kërkon prokurorisë të hetojë me përgjegjësi gjithçka lidhet me këtë ngjarje dhe të nxjerrë para drejtësisë autorët dhe të gjithë personat e përfshirë në vrasjen e efektivit, Ibrahim Basha.

Top Channel