“Lazarati”, Krimet e Rënda: “Grupi i zjarrit” po përgatitej për sulmin prej 6 muajsh

26/06/2015 00:00

“Grupi i zjarrit” që vrau efektivin e RENEA-s, Ibrahim Basha, kishte gjashtë muaj që përgatitej për të sulmuar forcat e Policisë së Shtetit.

Sipas përmbledhjes së ngjarjes nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, qëllimi i këtij grupi ishte rikthimi në gjendjen e mëparshme në fshatin Lazarat, ku të krijohej mundësia për kultivimin e lëndës narkotike. Dyshimet kryesore të strukturave hetuese konsiderojnë se organizatorët e këtij grupi janë shtetasit Arbion dhe Alban Aliko.

Një fakt i ri që bëhet i ditur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda është se, në automjetin e Xhuliano Malos, krahas armëve dhe municioneve, kishte edhe një sasi kokaine.

Në automjet janë gjetur një armë automatik, një pushkë model 63, një pushkë tjetër model 56, tre gëzhoja të fishekëve model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një thes “lino” mbushur me fishekë të kalibrave të ndryshëm, një kasetë fishekësh me disa krehëra, katër kallëpe tritol, disa fishek 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse e marrëse, tre aparatë celularë dhe tre qese farmaceutike me lëndë të dyshuar si kokainë.

Sipas prokurorisë, para mbërritjes së efektivëve të RENEA-s, rreth orës 02.30 të 24 qershorit, është qëlluar me armë drejt forcave të FNSH-së që ishin në shërbim në zonë. Ngjarja është shënuar në vendin e quajtur “Kazinoja e Abaz Rabit” dhe “Kryqëzimi i Përroit të Kordhocës”, ku ata janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat. Edhe një tjetër grup i FNSH-së, njoftoi rreth orës 04.44 se ka pasur edhe më pas të shtëna me armë nga qendra e fshatit.

Vetëm rreth orës 09.00 nisi operacioni i repartit RENEA, ku rreth 200 metër nga rruga që të çon në qendër të fshatit u konstatua edhe makina e bardhë e Xhuljano Malos, ku u gjetën armët dhe kokaina. Vetëm më pas, në vendin e quajtur “Pularia” në drejtim të automjetit të forcave RENEA u qëllua me breshëri armësh, ku mbeti i vrarë efektivi Ibrahim Basha dhe u plagosën Jetmir Isaj dhe Perlat Hamitaj.

Top Channel