Lazarat, sekuestrohen arma e dyshuar për vrasjen e efektivit. Vijojnë kërkimet për vrasësit

26/06/2015 00:00

Kontrollet shtëpi më shtëpi e rrugicë më rrugicë në Lazarat po vijojnë. Ende nuk janë kapur tre personat e akuzuar se kanë qëlluar dhe vrarë policin Ibrahim Basha.

Megjithatë, gjatë kontrolleve janë gjetur armë dhe municione pranë banesës së një prej personave që ndodhet në listën e të kërkuarve. Gjithashtu, është gjetur një snajper që dyshohet si arma me të cilën është vrarë efektivi i RENEA-s.

Forca të shumta policore ndodhen në Lazarat dhe mendohet se pjesëtarët e “grupit të zjarrit” që nuk janë kapur ende të ndodhen të fshehur në fshat, ndërsa vazhdojnë në mënyrë intensive hetimet, përgjimet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar më parë.

Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe policia njoftuan dje se, autorët e sulmit me armë mendohet të jenë vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, si dhe shtetasi Bervin Basho. Policia është ende në kërkim të tyre, ndërsa mbetet në fuqi apeli për t’u dorëzuar dhe paralajmërimi që, nëse reagojnë me armë, do të asgjesohen.

Ndryshe nga ngjarjet e tjera në Lazarat, për herë të parë kemi dokumentim të veprës penale. Tre personat që janë në kërkim do të akuzohen për vrasjen e oficerit të RENEA-s dhe policia nuk do të largohet pa u kapur këta 3 persona.

Rrethimi i Lazaratit sa vjen e ngushtohet dhe kapja e tyre është çështje kohe. Policia ka të dhëna të besueshme që ata nuk janë larguar nga fshati.

Top Channel