Përfundon protesta e veteranëve të luftës kundër Gjykatës Speciale

26/06/2015 00:00

Për rreth 4 orë, qindra veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës, në kohën kur deputetët po diskutonin ndryshimet kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Organizatorët e protestës u bënë vazhdimisht thirrje deputetëve, që të mos votojnë këto ndryshime kushtetuese dhe t’iu bashkohen protestuesve, pasi – siç thanë ata, – po rrezikohet sovraniteti i Kosovës.

Protestës së veteranëve të luftës së UÇK-së i janë bashkëngjitur për pak minuta edhe disa deputetë të Kuvendit të Kosovës, si Pal Lekaj, Time Kadriaj dhe Lah Ibrahimaj nga AAK; Rexhep Selimi, Besa Baftiu dhe Salih Salihu nga lëvizja Vetëvendosje; si dhe Haxhi Shala e Shykrije Bytyqi nga “Nisma për Kosovën”.

Gjatë kohës që po protestohej pati një mosmarrëveshje mes protestuesve. Një veteran i zonës operative të Llapit akuzoi udhëheqësit e organizatave të dala nga lufta, se nuk kanë ftuar qëllimisht një numër të madh të veteranëve në protestë. Ai madje tha se, të gjithë këta udhëheqës janë shitur te zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi.

Situata është qetësuar, vetëm pasi sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, e tërhoqi veteranin nga turma.

Në momentin kur Kuvendi i Kosovës shkoi në një moment pushimi, për të vazhduar seancën pas një ore, sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, bëri thirrje që protestuesit të shpërndaheshin, duke deklaruar se deputetët e kanë kuptuar tashmë kërkesën e tyre dhe nuk do të duhej të ktheheshin fare në seancë.

Protesta ka përfunduar e qetë, por gjatë gjithë kohës pati prezencë të shtuar të forcave policore brenda oborrit të Kuvendit.

Top Channel