“Tingujt e ditarit tim”, në Prishtinë

26/06/2015 00:00

Pas Tiranës dhe Gjakovës, projekti “Tingujt e ditarit tim” i këngëtarit Alban Skënderaj u prezantua edhe në Prishtinë.

Koncerti u mbajt në ambient të hapur, në Amfiteatrin e Parkut të Gërmisë dhe, si të tillë, Alban Skënderaj e cilësoi si një piknik, ku muzika ishte ushqimi.

Edhe pse konceptualisht, publiku do të duhej të rrinte ulur, në Prishtinë ndodhi e kundërta.

“Edhe pse ne jemi në këtë format paksa më akustik, paksa më të qetë, këngët janë të orkestruara në mënyrë paksa më të tërhequr, megjithatë na u desh të përshtateshim, i dhamë pak më shumë shtytje dhe energji. Jam shumë i lumtur me të vërtetë dhe, siç e thashë edhe në skenë, publiku qenka dëshmia që e mira nuk paska fund, sepse mendonim se ishte kulmi, por shkoi edhe më mirë sot sesa herët e tjera. Uroj me zemër që të gjithë të jenë kthyer në shtëpi të kënaqur nga ky koncert”, u shpreh këngëtari dhe kantautori Alban Skënderaj.

Mes adhuruesve të muzikës së Albanit, në koncert ishte dhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kreu i Prishtinës, që e ka mbështetur këtë projekt, kujton këngën e parë që kishte dëgjuar nga Alban Skënderaj.

“Unë e kam dëgjuar Albanin për herë të para përpara më shumë se 10 viteve me këngën ‘Një thirrje të dëshpëruar’. Atëherë më pëlqeu edhe si këngë, ndaj dhe e ndjek gjithmonë këtë këngëtar. Me të vërtetë m’u duk një koncert i mirë, shumica e publikut i dinte të gjitha tekstet e këngëve, prandaj është gjithmonë mirë të jesh në një koncert të tillë”, deklaroi kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.

“Tingujt e ditarit tim” është projekt, i cili ka sjellë të riorkestruara këngët e Alban Skënderaj, të përcjella me orkestrën e Top Channel dhe të ftuarin special, muzikantin Gent Rrushi.

Top Channel