Merkel, në Tiranë më 8 korrik. Turi ballkanas i Kancelares nis nga Shqipëria

26/06/2015 00:00

Top-Channel ka mësuar nga një burim se tashmë është vendosur data se kur Kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të vizitojë Shqipërinë. Është data 8 korrik 2015.

Ardhja e Kancelares Merkel e çon në dy vizitën e një kancelari në vendin tonë, pas asaj të vitit 1999, kur Tiranën e vizitoi Gerhard Schroeder, 12 vjet pasi u lidhën marrëdhëniet diplomatike midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Kjo vizitë e zonjës së hekurt të Europës do të ketë dy dimensione; atë në rrafshin politik dhe në atë ekonomik. Ardhja e Merkel në Tiranë do të shënojë takimin e tretë me kryeministrin Rama, pas atyre dy të parëve të mbajtur në Berlin vitin e shkuar.

Gjermania, e cila vitet e fundit ka rikthyer vëmendjn nga Ballkani, e sheh Shqipërinë si një partner të rëndësishëm gjeo-politik në rajon.

Ky takim, gjithashtu në rrafshin ekonomik, do të jetë një mundësi e mirë për t’i bërë një minibilac arritjeve të deritanishme dhe çuarjen më përpara të angazhimeve që u morën në Konferencën Rajonale të Berlinit gushtin e kaluar.

Rama dhe Merkel në takimin e tyre do të shikojnë edhe mundësinë e intensifikimit të mardhënieve ekonomike mes dy vendeve. Kancelarja pritet të vizitojë edhe Serbinë, ndërkohë që vizita më 9 korrik në Bosnjë duket se është anuluar.

Kjo vizitë e Merkel në rajon konsiderohet edhe si një tjetër hap i përkujdesjes së shprehur nga kancelarja për Ballkanin, i cili tradicionalisht në të shkuarën ka qenë pjesë e influencës ruse.

Në Konferencën e Berlinit me liderët e rajonit, zonja Mekel do të deklaronte: “Në terma afatgjatë ne duam që Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Është në interesin tonë të përbashkët ekonomik, politik dhe strategjik”.

Agjencia e lajmeve “Bloomberg” jep këtë shpjegim për afrimitetin e Merkel me Ballkanin: “Gjermanët e kanë trajtuar zbehtas rajonin e Ballkanit, pasi trupat naziste pushtuan ish-Jugosllavinë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo tani ka ndryshuar, pasi Mekel dhe Putin kanë dhënë sinjale të një konfrontimi të fortë për Ukrainën me ngjashmëri nga Lufta e Ftohtë”.

Ardhja e Merkel në rajon nuk mund të përkufizohet aspak si një kthim i vizitave të liderëve ballkanas në Berlin, por në perspektivën afatgjatë, kjo vizitë merr një rëndësi të veçantë në aspektin gjeopolitik, përfshirë këtu mesazhet që kancelarja do të përcjellë në Tiranë dhe Beograd, vende aspirante për t’iu bashkuar Bashkimit Europian.

Top Channel