Përpjekjet e fundit të Athinës dhe kreditorëve për zgjidhjen e ngërçit

26/06/2015 00:00

Me gjithë bisedimet e vazhdueshme në rang ministrash të vendeve të Eurozonës, por edhe në kuadrin e samitit të lartë të BE-së, kreditorët dhe Greqia nuk po bien ende dakord për një program reformash, që duhet të ndërmarrë Athina në shkëmbim të ndihmës financiare, kur kanë mbetur edhe pak ditë, që qeveria greke të shpallë pamundësinë e detyrimeve financiare ndaj FMN-së, në rast të një ngërçi total mes saj dhe huadhënësve.

Disa orë para samitit të pestë të Eurozonës brenda një jave, që thuhet se do të jetë edhe i fundit, duke i dhënë ose jo zgjidhje çështjes greke, mediet e huaja bëjnë me dije se Kancelarja Merkel dhe Presidenti Hollande i kanë propozuar kryeministrit Tsipras një shtyrje të programit të ndihmës, që përfundon për 5 ditë, deri në fund të nëntorit dhe ndihmë financiare rreth 16 mld euro, me kusht reformat e kërkuara prej tyre.

“Ramë dakord se, ekziston nevoja për punë të mëtejshme mes tri institucioneve të Eurogrupit dhe Greqisë dhe mendoj se, samiti i Eurogrupit këtë të shtunë është i një rëndësie vendimtare, duke pasur parasysh që koha është shumë e shkurtër dhe se gjithkush nga ne në Këshillin Evropian është dakord, që duhet të gjendet një zgjidhje të shtunën, ndaj është një takim vendimtar”, tha Angela Merkel, Kancelare e Gjermanisë.

E ndërkohë që kryeministri Tsipras ka urdhëruar mbledhjen urgjente të qeverisë për të diskutuar rrugëdaljen dhe mundësitë e pakta të mbetura, ministri gjerman i Financave i ka bërë përsëri thirrje Athinës të pranojë reformat e propozuara prej BE-së, FMN-së dhe BQE-së, ndërsa ka shkaktuar përsëri nervozizëm te pala greke, kur i është përgjigjur me mosbesim pyetjes se, sa i mundshëm është një “Grexit”, apo një dalje e Greqisë nga Eurozona.

“Nuk do të vë bast, se çfarë do të ndodhë. Mundësitë janë pothuajse të barabarta, 50% me 50%. Do të shohim të martën në mbrëmje. Të mërkurën në mëngjes do të dimë se çfarë ka ndodhur”, tha ministri gjerman i Financave, Ëolfgang Schauble.

Sipas analistëve, mosbesimi i krijuar tashmë midis huadhënësve dhe Greqisë ka bërë, që në axhendën e samitit të së shtunës të Eurogrupit, në rast se dështojnë negociatat, të diskutohet edhe një plan emergjent sesi do të veprohet orët e ardhshme.

Në Athinë, qytetarët deklarojnë se tashmë nuk janë të shqetësuar, nëse të hënën që vjen do të hapen apo jo bankat greke, apo do të vendoset i ashtuquajturi “kontroll mbi kapitalin”, pasi shumica e grekëve nuk ka parà, por më shumë ata shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Top Channel