Kulmon përdorimi i drogës, mbi 6 mijë personat e varur nga drogat e forta

26/06/2015 00:00

Shqiptarët e kanë të lehtë për të siguruar drogën, ndaj dhe numri i përdoruesve të lëndëve narkotike në vend është shtuar.

Në vitin 2015 përllogariten rreth 6.000 persona që të kenë përfunduar në stadin e varësisë nga droga. Shifrat janë edhe më të larta pasi jo të gjithë marrin shërbime mjekësore.

“Aty u paraqitën 6 mijë e ca raste përdoruesish problmatikë, të drogave të forta, atyre me injeksion dhe të kokainës. Kjo shifër prezanton vetëm 15 për qind të atyre që kanë arritur në shërbimet mjekësore, që do të thotë se këtë shifër duhet ta shumëzojmë me pjesën e ngelur. Ndërkohë kemi një rritje të përdoruesve të kokainës, nga 4 për qind që ka qenë para pak vitesh në 15 për qind”, ka deklaruar doktor Zihni Sulaj, shef i shërbimit të toksikologjisë.

Ndonëse deri më tani problem kryesor ka qenë kanabisi, tashmë edhe drogat e forta janë shndërruar në problem shqetësues. Në shërbimin e toksikologjisë shtrohen çdo vit 400 vetë, rreth 1.600 të tjerë paraqiten në urgjencë dhe rreth 250 persona në vit bëjnë overdozë.

“Rreth 200 mijë shqiptarë kanë eksperimentuar kanabisin, rreth 10 deri në 20 mijë kokainën 20 mijë dhe 6 mijë apo 7 mijë janë përdorues problmatikë, që vuajnë dhe kanë vartësi. Duhet të merremi më shumë me kanabisin, me kokainën, ndërsa heroina ngelet problem serioz, me një fuqi të madhe vartësie dhe dëmtim serioz për shëndetin”, ka deklaruar specialisti Alban Ylli.

Drejtoresha e ISHP, Ogerta Manastilriu theksoi angazhimin e shëndetësisë në lidhje me trajtimin e personave që kanë fituar varësi ndaj drogave. Ndërkohë, kërkohet një bashkëpunim me të gjitha struktuart për të ulur ofertën e drogës në vend ndaj kërkesave.

Shqetësimi kryesor janë trafikantët e shtuar të drogës, të cilët e orientojnë atë gjithmonë e më shumë drejt të rinjve. Shpesh shpërndarësit e drogës kapen pranë shkollave të mesme.

Për herë të parë, Shqipëria ka tanimë një studim shkencor në lidhje me drogën dhe në bazë të tij, rreth 76% e shqiptarëve janë kundër legalizimit të kanabisit në Shqipëri.

Top Channel