Qeveria e Kosovës miraton projektligjet e buxhetit dhe të drejtave të autorit

26/06/2015 00:00

Qeveria e Kosovës zhvilloi mbledhjen e radhës, në të cilën ka miratuar projektligjin “për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2015” dhe projektligjin “për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta”.

Gjithashtu është bërë rivlerësimi i të ardhurave buxhetore, të cilat kanë qenë të mbivlerësuara, ndërsa sa u përket shpenzimeve buxhetore, do të vazhdohet me financimin e të gjitha projekteve të investimeve kapitale, por do të vazhdojë edhe kursimi kudo që të jetë i mundur, njoftohet në një komunikatë për shtyp të Qeverisë së Kosovës.

Kështu, shpenzimet e parashikuara në “Buxhetin e vitit 2015” do të jenë me 49 milionë euro më të ulëta, bën të ditur kjo komunikatë e dalë prej mbledhjes së qeverisë.

Kryeministri Isa Mustafa ka njoftuar gjithashtu kabinetin qeveritar, me detajet e takimit të zhvilluar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Kryeministri Mustafa tha se, gjatë takimit të datës 23 qershor janë trajtuar disa prej çështjeve që kanë qenë të parashikuara; si çështja e parimeve themelore lidhur me Asociacionin e Komunave, çështja e energjisë, çështja e kodit telefonik, çështja e kalimit mbi urën e Ibrit; teksa është arritur gjithashtu që të nënshkruhet marrëveshja lidhur me policat e sigurimit.

“Mund të them se për çështjet e tjera nuk është arritur të diskutohen thellësisht, përveç Asociacionit të Komunave dhe energjisë, për të cilat është diskutuar në mënyrë specifike. Kemi mbetur të punojmë edhe më tutje në nivel ekspertësh, për të sqaruar disa çështje që kanë qenë shumë të hapura ndërmjet nesh, ndaj dhe jemi marrë vesh që të vazhdojmë këtë të hënë. Ne jemi angazhuar, që të gjitha këto çështje të zgjidhen në bazë të parimeve, të cilat ne i kemi përcaktuar më parë dhe mendoj se ashtu do të ndodhë. Jemi marrë vesh që dialogu të vazhdohet për të njëjtat tema, dhe të mos dalim e të themi se çfarë kemi biseduar, sepse kjo nuk na ndihmon të zhvillojmë një dialog konstruktiv. Çështjet, të cilat i kemi biseduar atje, të jenë çështje të një dialogu që zhvillohet nganjëherë edhe me pajtime dhe mospajtime, por do të bëjmë përpjekje që t’i përafrojmë qëndrimet, duke u bazuar në parimet e domosdoshme që ne duhet t’i respektojmë, siç është Kushtetuta e Republikës së Kosovës, ligjet që janë në fuqi si dhe prona e Kosovës, që është e padiskutueshme dhe e panegociueshme. Ne do të bëjmë përpjekje maksimale, që dialogu të jetë konstruktiv dhe që zgjidhjet të jenë të tilla, të cilat do të ndihmojnë që në të ardhmen ne t’i lëmë mënjanë problemet, të cilat i kemi të hapura tani. Si dhe të orientohemi në perspektivën tonë zhvillimore dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Isa Mustafa.

Top Channel