Mediu: Zgjedhjet ishin hap prapa. PR, forca e katërt në këshillat bashkiakë

26/06/2015 00:00

Partia Republikane thotë se është renditur partia e katërt në këto zgjedhje vendore, me 6 këshilltarë. Por, për Fatmir Mediun nuk ka asgjë për të festuar, sepse vendi ka bërë hapa prapa dhe zgjedhjet nuk ishin të lira.

“Është naive të besosh se në kushtet e kësaj qeverisjeje dhe një procesi elektoral të inkriminuar, mund të fitohet përballë krimit, kur krimi ka në krah qeverinë dhe qeveria bandat dhe paratë e krimit. Dhe ajo që unë kam bindje, nga ato që kam parë e dëgjuar gjatë zgjedhjeve, është se ka pasur një manipulim masiv, blerje të votës, intimidim të votuesve dhe pjesëmarrje të bandave kriminale. Ndaj nuk mund të gjykohet as fituesi e as humbësi në mënyrë të drejtë”, deklaroi Mediu.

Duke marrë Vorën si modelin më të keq të zgjedhjeve, Fatmir Mediu ishte shumë i ashpër kur renditi të njëjtat fakte, që siç tha ai, të cilave u referohet edhe ODIHR-i.

“Gjatë zgjedhjeve u provua blerja, bashkëpunimi me bandat kriminale, intimidimi i votuesve, ndalimi i votuesve të opozitës për të votuar. Vora është rasti më flagrant i një organizimi kriminal dhe mafioz. Këmbëngulja e Ilir Metës për të marrë Vorën me çdo kusht edhe sot e bën atë sa qesharak, aq edhe përgjegjës për gjithçka ka ndodhur, tashmë e njohur jo vetëm nga banorët e Vorës që e refuzuan atë, por edhe nga faktori ndërkomb që ka faktuar atë që ka ndodhur”, deklaroi Mediu.

Kryetari i PR-së pohoi se i kishte propozuar Lulzim Bashës të tërhiqnin kandidatët nga zonat ku qeveria kishte, sipas tij, kandidatë me rekorde kriminale për të mos legjitimuar një garë në dukje normale. Por, thelbin e mangësive të opozitës dhe rezultatit në përgjithësi, Mediu e sheh tek faktorë të tjerë.

“Ka elementë që kanë të bëjnë me ndërtimin e koalicionit, marrëdhëniet brenda koalicionit, marrëdhëniet me qytetarët, organizimi i strukturave, kontrolli i procesit të votimit, mbështetja e votuesve për të ardhur në votime, etj. Rasti i Vorës, i Lezhës dhe të tjera bashki janë tregues se mund t’u bëhet ballë intimidimit dhe blerjes së votës”, shtoi Mediu.

Top Channel