Konflikti në Portin e Durrësit, Autoriteti Portual kundër tarifave arbitrare në shërbime

26/06/2015 00:00

Konflikti ligjor dhe operacional mes koncesionarit gjerman “EMS” dhe Autoritetit Portual Durrës prej një muaji nuk ka marrë zgjidhje.

Marrëveshja e arritur për licencim të kompanisë koncesionare të Terminalit Lindor që ofron dhe shërbimin e ngarkim-shkarkimit të anijeve në terminal, krahas tre kompanive shqiptare të licencuara, nuk është arritur, ndërsa drejtori ekzekutiv i Autoritetit Portual Gazmend Shalsi hedh poshtë pretendimet e koncesionarit gjerman.

“Këta koncesionarë shkojnë në gjykatë, me vendim gjykate më detyrojnë ta zhbllokoj, unë e bëj këtë gjë, mos do të thotë që kam marrë ryshfet që e kam zhbllokuar? Këto zhurma janë vetëm që të mos zbatohet ligji”, është shprehur Shalsi.

“EMS” ka fituar kontratën e koncesionit për operimin në Kalatën Lindore të Portit të Durrësit më 6 maj 2013, kontratë që ka hyrë në fuqi më 15 korrik të atij viti. Në bazë të saj, kompania menaxhon të gjithë operacionet që zhvillohen në këtë kalatë, ndërkohë që për aktivitetet stivadore kërkohet licencim i posaçëm, gjë që nuk është pranuar nga “EMS” muajin e fundit.
 
Sipas Autoritetit Portual Durrës, “EMS” kërkon të ushtrojë në mënyrë të paligjshme përpunimin e anijeve në kalatë, duke imponuar tarifat e saj dhe cenuar marrëdhëniet kontraktuale, por edhe duke krijuar konflikte edhe fizike me kompanitë e licencuara.

Në portin detar të Durrësit që nga vera e vitit 2013 u janë dhënë me koncesion, dy kompanive gjermane dhe një kompanie turke, tre terminale të rëndësishme, përkatësisht ai i Trageteve, Terminali Lindor dhe Terminali i Kontejnerëve.

Mbikëqyrja e zbatimit të kontratave koncesionare, të dhëna me shpejtësi në fund të një mandati qeverisës, ka krijuar tension te kompanitë e huaja, të cilat kohët e fundit njëkohësisht kanë ngritur pretendime, duke krijuar një klimë presioni.

Top Channel