Edhe Kuvajti tronditet nga ISIS; 25 viktima dhe 202 të plagosur nga shpërthimi kamikaz në xhami

26/06/2015 00:00

Vala e sulmeve terroriste të kësaj të premteje duket se ka prekur edhe Kuvajtin, ku një kamikaz ka hedhur veten në erë brenda një xhamie të myslimanëve shiitë të tejmbushur gjatë lutjeve të sotme, duke lënë të vdekur të paktën 25 vetë dhe duke plagosur mbi 200 të tjerë.

Dhe, ashtu siç ka ndodhur edhe në sulmin terrorist të Francës dhe në atë të Tunizisë, edhe në Kuvajt duket se ka pasur gisht grupi i militantëve xhihadistë të Shtetit Islamik, i cili e ka marrë edhe zyrtarisht përgjegjësinë e këtij sulmi përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale. “Kemi shënjestruar një ‘tempull të kundërshtuesve’”, – shkruanin ata, duke përdorur një term që zakonisht e përdorin për t’iu referuar grupeve shiite, të cilët për ta konsiderohen si heretikë.

Ky ishte i pari sulm me bombë vetëvrasëse në një xhami shiite në vendin e vogël të Gjirit Arabik, një eksportues i njohur i naftës në mbarë botën, ku myslimanët sunitë dhe shiitë jetojnë secili në mënyrën e vetë, me shumë pak fërkime të dukshme.

Shteti Islamik ka nxitur ndjekësit e tij gjatë së martës që të përshkallëzojnë sulmet gjatë Muajit të Shenjtë të Ramazanit, kryesisht kundër të krishterëve, shiitëve dhe myslimanëve sunitë që luftojnë në krah të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kundër grupit xhihadist të linjës së ashpër.

Një parlamentar kuvajtian, Khalil al-Salih, tha se besimtarët ishin duke u lutur në gjunjë, kur kamikazi hyri në xhaminë e Imam al-Sadeq, si dhe aktivizoi lëndën eksplozive, duke shkatërruar muret dhe tavanin.

Nga sa është vënë re prej trupit të gjymtuar, kamikazi dukej tepër i ri, ndoshta rreth të 20-ave, dhe mundi të hynte në xhami gjatë momentit të gjunjëzimit të besimtarëve. Shpërthimi ka qenë tepër i fuqishëm, siç thotë deputeti për “Reuters”, saqë mundi të shkatërronte si tavanin edhe muret anësore. Në vendngjarje, gjatë lutjes së të premtes kanë qenë mbi 2000 persona të sektit fetar të shiitëve Ja’afari.

Ministria e Shëndetësisë së Kuvajtit bëri të ditur se janë hapur banka të reja të dhurimit të gjakut për të marrë ndihma, si dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i shmangin qendrat e emergjencave, nëse nuk janë në gjendje tepër të rëndë apo nuk kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale.

Kryeministri Sheikh Jaber al-Mubarak al-Sabah, i cili vizitoi të plagosurit në Spitalin Emiri, dënoi sulmin terrorist, duke e quajtur atë si një përpjekje për të vënë në rrezik unitetin kombëtar të kuvajtianëve.

“Incidenti ka shënjestruar çështje tona të brendshme, mbi të gjitha unitetin kombëtar”, tha Sheikh Jaber. “Por do ta kenë tepër të vështirë t’ia dalin mbanë, sepse ne jemi shumë më të fortë sesa ata”.

Top Channel