Dështon Gjykata Speciale e Kosovës. Nuk u sigurua shumica e votave për ndryshimet kushtetuese

26/06/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës u tha “jo” ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale. Pas debatit që zgjati disa orë, nga 81 deputetë të pranishëm në sallë, 75 votuan pro, 7 kundër dhe dy deputetë abstenuan pas votimit elektronik.

Deputetët që votuan kundër janë: Rafet Rama, Raif Çela, Xhevahire Izmaku, Ganimete Musliu, Nait Hasani, Fadil Demaku dhe Fadil Beka, të gjithë të grupit parlamentar të PDK-së, ndërkohë që abstenuan Flora Brovina dhe Nezir Çoçaj, edhe këta nga PDK-ja.

Procesit të votimit i parapriu një debat i gjatë parlamentar, mes të cilit dominuan thirrjet e tri subjekteve opozitare Vetëvendosje, AAK dhe Nisma, për të mos e votuar Gjykatën Speciale, e nga ana tjetër, alternativa e vetme që u prezantua nga qeveria ishte se, këtë gjykatë do ta themelojë Këshilli i Sigurimit i OKB-së.

“Institucionet dhe shteti i Kosovës ndodhen përpara dy mundësive; njëra, që të themelojnë vetë këtë gjykatë, bashkërisht me Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kjo çështje të përmbyllet njëherë e përgjithmonë në një periudhë të caktuar kohore prej 3-5 vitesh; dhe e dyta, në rast dështimi, kjo çështje të shkojë në Këshillin e Sigurimit dhe të zgjasë 15-20 vite, e ngritur nga kundërshtarët e Pavarësisë së Kosovës”, u shpreh Hashim Thaçi, zv.kryeministër dhe ministër i Jashtëm i Kosovës.

Në fjalimet e tyre, deputetët e opozitës rikthyen në vëmendje dhjetëra masakra të kryera ndaj popullatës civile nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë, për të cilat nuk është gjykuar askush. Në këtë mënyrë, ata ftuan kolegët e tyre të mos e votojnë Gjykatën Speciale, e cila në vështrimin e opozitës, përveç se është selektive, cënon edhe sovranitetin e Kosovës.

“Unë personalisht nuk do ta votoj Gjykatën Speciale, sepse nuk do të kem kurrë më fytyrë t’i dal përpara familjes Deliaj të Arbërisë dhe mijëra e mijëra familjeve, që humbën të dashurit e tyre më të afërt. Luljeta Deliaj që ishte shtatzënë, ia çanë barkun dhe e vranë. Diturie Deliaj 6-javëshe u gjet e gjallë në krahun e nënës së masakruar. Ndërsa kjo është fotografia e Valmirit të vogël (shfaq një foto para Kuvendit), i cili është i masakruar prej forcave serbe dhe ka pasur ende të varur beberonin në qafë”, u shpreh Glauk Konjufca, i Vetëvendosjes.

“Për një kohë të gjatë Kosova do të përbëjë lajm jo vetëm në mediet kombëtare por edhe ndërkombëtare, të monstruozitetit të atyre që janë monstra të popullit, të vendit, të shtetit dhe të simboleve. Gjithkund në botë do të trajtohet si monstër Kosova. Fëmija juaj, pa marrë parasysh se i cilës parti jeni, do të studiojë diku dhe kur të prezantohet prej Kosovës, do t’i thonë ‘ah prej atij vendit monstër, që po gjykohet për gjërat monstruoze që ka bërë’. Drejt kësaj situate do të shkojmë, në rast se ndjekim këtë drejtim”, u shpreh Ramush Haradinaj, kreu i AAK-së.

“Zoti kryetar, mendoj se përveç shtrimit të diskutimit që çështja është antikushtetuese, meqë nuk negociohet sovraniteti i këtij vendi. Këtu nuk po bartim kompetenca por po ndërtojmë një sistem paralel për t’ia dhënë një grupi njerëzish pa identitet, që nuk do të flasë në emër të institucionit, por në emër të Kosovës”, u shpreh Fatmir Limaj, kreu i “Nisma për Kosovën”.

Edhe deputetët e shumicës dhanë vlerësime negative për Gjykatën Speciale, nisur nga kryeparlamentari Veseli, por votën “pro” e arsyetuan se po zgjedh të keqen më të vogël, me besimin se kjo gjykatë do t’i pastrojë “njollat e zeza” mbi UÇK-në.

“Gjykata Speciale, pa cinizëm, është një e keqe që na ka ndodhur. Po të kishim qenë të aftë, nuk kishte ardhur kjo gjykatë në Kosovë, fare realisht. Por kjo ka ardhur në një realitet, i cili në këtë moment kur po flasim të gjithë, është pothuajse i pashmangshëm”, deklaroi kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Dallimin e bëri deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e cila e deklaroi hapur votën e saj kundër.

Për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili foli vetëm në fillim të punimeve të seancës, votimi i Gjykatës Speciale rrjedh nga letërkëmbimi i Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Baroneshës së BE-së, Catherine Ashton, vitin e kaluar. Sipas tij, propozimi, siç e ka thënë edhe Gjykata Kushtetuese, nuk e cënon Kushtetuttën e Kosovës dhe lirinë e individit.

FOTO GALERI
1/1
Faksimile e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës

Top Channel