Thaçi: Vota kundër, gabim trashanik. Zhbogar, i zhgënjyer

26/06/2015 00:00

Menjëherë pas rrëzimit të amendamenteve për krijimin e Gjykatës Speciale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, ka reaguar zv.kryeministri e njëherazi ministër i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, i cili ndër të tjera është shprehur se mund t’i risjellin sërish në Kuvend amendamentet.

Nga ana tjetër, në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Hashim Thaçi bëri këtë deklaratë: “Nga mosdija dhe patriotizmi i rremë, ata deputetë që votuan kundër bënë gabim trashanik, në dëm të interesit shtetëror”.

E megjithatë, deputetët që votuan kundër nuk duken të shqetësuar aspak, përkundrazi, fotot që qarkullojnë nëpër mediat e Kosovës i shfaqin ata tepër të gëzuar, duke bërë edhe simbolin e flamurit të Shqipërisë.

Ndërkohë nuk ka zgjatur shumë dhe, menjëherë ka reaguar edhe shefi i zyrës së BE-së, Samuel Zhbogar, lidhur me ndryshimet kushtetuese që nuk u votuan në Kuvend, e që priteshin të mundësonin themelimin e dhomave të posaçme.

“Jam i zhgënjyer me rezultatin e seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese, të cilat do të kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër, përpos asaj që t’i trajtojë supozimet serioze, që dalin nga raporti i vitit 2011 i Këshillit të Europës. Në këtë mënyrë, BE do të vazhdojë të punojë me institucionet e Kosovës në përpikmëri me konfirmimin e zotimeve, që dalin nga letërkëmbimet e 2014-s”, thuhej në deklaratën e Zhbogar.

Top Channel