Qeveria e Kosovës: Mosmiratimi i ndryshimeve kushtetuese nuk u shërben interesave të vendit

26/06/2015 00:00

Qeveria e Republikës së Kosovës ka lëshuar një deklaratë të premten në mbrëmje për mosvotimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Gjykatës Speciale.

Në deklaratë thuhet se, Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se mosmiratimi në Kuvend i ndryshimeve kushtetuese, që do të hapnin rrugë për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, si dhe Ligjit për Mbrojtjen Juridike dhe Mbështetjen Financiare të Personave të Akuzuar potencialë në Proceset Gjyqësore pranë Dhomave të Specializuara, nuk u shërben interesave madhore të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë deri në përmbushjen e plotë të detyrimeve që derivojnë nga letërkëmbimi ndërmjet Presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Baroneshës Catherine Ashton, si dhe fton të gjitha institucionet që t’i kontribuojnë përmbushjes së këtij obligimi dhe të mbrojnë interesat e shtetit të Kosovës”, thuhet në deklaratë.

Në fund të deklaratës theksohet se çdo dështim për përmbushjen e angazhimeve nga institucionet e Kosovës e vë në pikëpyetje seriozitetin dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Top Channel