Greqi, Tsipras njofton mbajtjen e një referendumi më 5 korrik

27/06/2015 00:00

Pranoni apo jo reformat e propozuara nga huadhënësit? Kjo do të jetë pyetja e referendumit që do të mbahet në 5 korrik, në Greqi.

Me tone dramatike, kryeministri grek, Alexis Tsipras ka deklaruar se të dielën tjetër do të zhvillojë një referendum popullor me pyetjen: Pranoni apo jo reformat e propozuara nga huadhënësit?

Në një fjalim televiziv, ai e përshkroi planin si “poshtërim” dhe dënoi masat e “padurueshme” të kërkuara nga kreditorët.

Në fjalimin e tij Tsipras tha: “Këto propozime, që në mënyrë të qartë shkelin rregullat europiane dhe të drejtat themelore në punë, barazisë dhe dinjitetit, tregojnë se qëllimi i disa prej partnerëve dhe institucioneve nuk është një marrëveshje e zbatueshme për të gjitha palët, por ndoshta poshtërimi i një populli të tërë. Populli duhet të vendosë pa asnjë shantazh”.

Për mbajtjen e referendumit në Greqi është njoftuar Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti francez, Francois Hollande, si dhe kreu i BE-së.

Greqia ka kërkuar nga Mario Dragi të kenë likuiditet të mjaftueshëm në bankat greke gjatë kësaj jave, ndërsa është kërkuar një shtyrje disaditore nga FMN-ja për pagesën që duhet kryer më 29 qershor.

Sipas analistëve, mosbesimi i krijuar tashmë midis huadhënësve dhe Greqisë ka bërë që, në axhendën e samitit të së shtunës të Eurogrupit, në rast se dështojnë negociatat, të diskutohet edhe një plan emergjent se si do të veprohet në orët e ardhshme.

Në Athinë, qytetarët deklarojnë se tashmë nuk janë të shqetësuar, nëse të hënën që vjen do të hapen apo jo bankat greke, apo do të vendoset i ashtuquajturi “kontroll mbi kapitalin”, pasi shumica e grekëve nuk ka parà, por më shumë ata shqetësohen për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Top Channel