Argjentina mposht Kolumbinë, kalon në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës

27/06/2015 00:00

Argjentina ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës së Amerikës pas një ndeshje dramatike ndaj Kolumbisë, duke u kualifikuar për më tej vetëm pas gjuajtjeve të 11-metërshave.

Pavarësisht se ekipi i “Tata” Martino përbëhet nga lojtarë si, Messi, Aguero, Tevez, Di Maria e të tjerë, nuk arriti të shënonte në 90 minutat e kohës së rregullt, megjithëse ndeshja u dominua totalisht dhe rastet për shënim ishin të panumërta.

Portieri Ospina, fati, por edhe arbitri kryesor i ndeshjes, i cili u kontestua gjatë nga argjentinasit për vendimet e tij tejet të dyshimta, duket se e dërguan ndeshjen drejt penalltive. Kolumbia arriti vetëm një herë të godasë portën në pjesën e dytë, ndërsa gjatë gjithë takimit qëndroi e ngjeshur pas.

Në ndryshim nga kompeticionet e tjera të futbollit, në Kupën e Amerikës nëse koha e rregullt përfundon në barazim shkohet direkt te 11-metërshat për të vendosur fituesin, pra nuk luhen 30 minutat e shtesës.

Momenti i penalltive ishte vërtetë dramatik, pasi lojtarët e dy ekipeve arritën të realizonin 8 penalltitë e para, 4 për secilën, ndërsa 5 lojtarët e radhës nuk arritën të shënonin. Ishte Tevez ai që shënoi për Argjentinën penalltinë e 14-të duke i dhënë një biletë për në gjysmëfinale, ku do të ndeshet me fituesin e çiftit Brazil-Paraguai.

Top Channel