Londra reagon pas sulmeve terroriste në Tunizi

27/06/2015 00:00

Pas sulmeve terroriste që kanë mbërthyer Tunizinë, vendi gjendet përballë sfidës se ç’do të bëhet me turizmin e tij.

Me një traditë të vjetër në këtë sektor, shteti antik afrikano-verior duket se ka marrë një goditje të fortë për ekonominë e tij.

Pas sulmit në plazhin e qytetit Souesse dhe atij të muajit maj në një muze, vijnë edhe masat e para të perëndimorëve.

Anglia nuk vonoi për të ngritur një grup pune, i cili po këshillon kompanitë e udhëtimeve, për të hequr Tunizinë nga lista e destinacioneve. Por përpara se një vendim i tillë të finalizohet, ky komision u bën thirrje turistëve britanikë që ndodhen aktualisht atje, të bëjnë valixhet gati dhe të largohen.

Po ashtu, pas diskutimeve emergjente, agjentët e udhëtimeve u kërkojnë pushuesve që më herët kishin planifikuar për të shkuar në Tunizi, të anulojnë çdo plan.

Ende nuk dihet nëse një hap të tillë, sikurse Anglia, do ta ndjekin edhe shtete të tjera. Sipas ekspertit të turizmit, Simon Calder, këto ngjarje mund ta shkatërrojnë turizmin e Tunizisë dhe shteteve përreth, për të paktën një dekadë.

Duke iu referuar edhe Egjiptit, Calder shton se sulme të tilla horrori kanë një impakt të madh psikologjik tek turistët, për të cilët gjëja më kryesore është siguria për pushimet e tyre.

Top Channel