Plagosja në Patos, arrestohen 4 persona. Shpallen në kërkim 4 të tjerë

27/06/2015 00:00

Katër persona janë arrestuar dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e Fierit, për ngjarjen e ndodhur pasditen e të enjtes në Patos.

Burime zyrtare bëjnë të ditur se vetë dy të plagosurit, Roland Sanxhaku 28 vjeç dhe Arsen Lutaj, 26 vjeç janë arrestuar për moskallëzim krimi. Ndërsa Orgest Lutaj, 23 vjeç dhe Florian Sulaj, 29 vjeç, janë arrestuar përkatësisht nën akuzat e vrasjes së mbetur në tentativë dhe plagosje e rëndë me dashje.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e të enjtes, rreth orës 17.20 në qytetin e Patosit. Roland Sanxhaku dhe Arsen Lutaj mbetën të plagosur, pasi u qëlluan me armë zjarri.

Policia sekuestroi armën, një automatik model-56, një krehër me 21 fishekë, një gëzhojë model 56, një thikë me bisht druri me gjatësi të përgjithshme 27.8 cm dhe një automjet Benz-Mercedez.

Në kërkim janë shpallur shtetasit me inicialet E.L., K.S., T.K. dhe M.K. Ata akuzohen për plagosje të rëndë me dashje dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta.

Top Channel