Idrizi: PDIU, parti e katërt në vend. Jemi realitet politik i qëndrueshëm

27/06/2015 00:00

PDIU është renditur si parti e katërt në këto zgjedhje, duke konfirmuar qëndrueshmërinë e saj në arenën politike. Kreu i kësaj partie, Shpëtim Idrizi në një deklaratë për mediat shprehet se mbështetja elektorale ndaj PDIU-së është rritur me 35%, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2013.

PDIU, si pjesë e koalicionit të majtë, fitoi 3 kryetarë bashkie dhe 60 këshilltarë në të gjithë vendin.

“Me rezultatet në terren, me shpërndarjen e votës në të gjithë qarqet, jo vetem ne 5 qarqevet ku ne kishim bastionet tona, PDIU u konfirmua si parti e gjithë shqiptarëve, jo vetëm e çamëve, si mundohet ta kufizojë një pjesë e rivalëve tanë politikë, pse jo dhe ndonjë kancelari e ndonjë shteti fqinj. Kemi arritur rezultate spektakolare dhe në bashki të tilla si, Dibër, Kukës, Lezhë, Malësi e Madhe, Devoll, gjë që na bën krenar për ofertën tonë elektorale, të qëndrueshme, cilësore, kombëtare”, u shpreh Idrizi.

Ai dha edhe vlerësimet e tij për procesin zgjedhor. Sipas Idrizit, në këto zgjedhje partitë politike nxorën vendin nga logjika konfrontuese, e përplasjes ekstreme politike. “Në këto zgjedhje, u minimizua ndikimi negativ i shtetit fqinj në cilësinë e reformës territoriale, në rezultatet në zona të caktuara, si Himara, Konispoli, Finiqi”, vlerëson Idrizi.

Lidhur me problematikat e procesit, ai theksoi se “nuk ka parti të mëdha, me pushtet të padiskutueshëm në gjithë territorin, që mund të vendosin dhe birila e të fitojnë zgjedhjet”.

Top Channel