Dëshmitarët e masakrës së Tunizisë: Ishte si një film horror

27/06/2015 00:00

Dëshmitarët e kanë përshkruar si një ngjarje horrori sulmin në plazhin e Tunizisë, që u mori jetën 39 personave dhe plagosi 36 të tjerë.

Dikush ka parë bashkëshortin që kishte në krah të vdekur, një vajzë ka parë prindërit teksa u ekzekutuan mizorisht, e të tjerë, teksa janë munduar për të mbrojtur të afërmit e tyre nga plumbat, janë plagosur rëndë vetë.

“Fillimisht menduam se ato ishin fishekzjarre dhe jo të shtëna. Pastaj sytë na zunë një burrë të maskuar me të zeza, i cili vraponte nëpër rërë duke mbajtur diçka në krahë. Kur e drejtoi e kuptuam se ajo ishte një armë. Më pas, e vetmja gjë që dëgjuam ishte zhurma e të shtënave dhe më pas persona të vdekur mbi shezlonë”, ka treguar njëri prej tyre për mediat britanike.

Të shtunën, disa nga të mbijetuarit kanë bërë homazhe në plazhin e sulmuar. Sipas sekretarit të Jashtëm anglez, Philip Hammond, të paktën 8 viktima janë identifikuar si britanikë, ndërsa pjesa tjetër gjermanë, irlandezë, belgë dhe tunizianë.

Por me shumë gjasa numri i perëndimorëve që humbën jetën do të rritet.

Sulmi ndodhi mesditën e së premtes kur dy persona hapën zjarr në hotelin me 5 yje “Marhaba”.

Njëri qëlloi në plazh, ndërsa tjetri në pishinën e kompleksit. Në fakt, policia dyshon se pjesë e këtij incidenti të rëndë ishin më shumë se dy. Dyshohet për persona të infiltruar, të cilët shërbenin si ndihmësat e tyre, duke u dhënë edhe sinjalin se kur duhet të fillonin vrasjet masive.

Disa nga viktimat e kishin të premten si ditën e fundit të pushimeve, pasi në darkë ata do të niseshin drejt aeroportit për t’u larguar.

Ngjarja e Tunizisë ndodhi vetëm pak orë pas asaj në Francë, ku një grup personash që deklaruan përkatësinë në radhët e Shtetit Islamik, i prenë kokën një personi dhe plagosën disa të tjerë në një sulm ndaj një impianti gazi në Lion.

Ndërsa gjatë pasdites së të premtes, shënjestër u bë edhe Kuvajti, ku nga sulmi në një xhami humbën jetën 25 persona dhe u plagosën mbi 200 të tjerë.

Top Channel