Kontroll mbi pishinat, Inspektorati: Cilësia e ujit, por dhe dendësia e njerëzve

27/06/2015 00:00

Inspektorati Santiar Shtetëror ka nisur kontrollin e të gjitha pishinave, qofshin publike apo ato që oforhen në subjektet private, përsa i përket kushteve higjieno- sanitare, analizave bakterologjike e të tjera kritere që duhet të përmbushin.

Kreu i këtij Inspektorati, Eltar Deda shprehet se nuk do të ketë asnjë tolerim ndaj askujt që nuk respekton kriteret e përcaktuara.

“Kemi filluar inspektimin dhe monitorimin e të gjitha ambienteve publike ku shërbejnë për turizmin, dhe në mënyrë të veçantë për pishinat. Një gjë garantoj që ne do të jemi në shërbim të qytetarëve, dhe në ndjekje të kësaj problematike në mënyrë të tillë që pishinat që ofrojnë këtë lloj shërbimi, të garantojnë cilësi dhe shëndet. Nga ana jonë do të jemi shumë të rreptë në lidhje me mbylljen e atyre subjekteve që nuk i plotësojnë të gjitha kriteret e caktuara nga ana jonë”, tha Eltar Deda , Inspektorati Sanitar Shteteror.

Ndonëse numri i subjektve private që forcojnë shërbimin e pishinave është rritur ndjeshëm në Tiranë por edhe në qytete të tjera, ajo që vihet re në to është mbipopullimi i tyre, duke mos respektuar hapësirën për çdo individ. Zoti Deda thekson se përveç mbipopullimit që nuk do të lejohet, subjektet që ofrojnë shërbimin e pishinave duhet të plotësojnë një sërë kriteresh që lidhen si me cilësinë e ujit, por edhe me personel të posaçëm për sigurinë e pushuesve.

“Së pari, duhet të plotësojnë kushtet në lidhje me përmasat që duhet të ketë dhe numri i qytetarëve që lejohen për të kryer pushimin, aktivitetin në të. E dyta, duhet të kenë kushtet higjieno- sanitare, duhet të ketë sistemin e filtrimit dhe klorinimit të ujit, gjë të cilën ne e kemi një ndër kushtet kryesore dhe është e patolerueshme nga ana jonë. Po kështu duhet të ketë numrin e shërbimit të urgjencës, shërbimit të zjarrfikëses dhe policisë. Në të njëjtën kohë duhet të ketë një person që duhet të jetë në pozicionin e dhënies së ndihmës së shpejtë për personat që nuk dinë të notojnë”, tha Deda.

Temperaturat jo shumë të larta në këto ditë qershori kanë bërë që në pishina të mos ketë shumë pushues, por në korrik kur pritet të kemi dhe rritje të temperaturave, numri i atyre që frekuentojnë pishinat do të jetë i lartë.

Top Channel