Gjykata Speciale, VV: Gati të bashkëpunojmë, por…

27/06/2015 00:00

Pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për riprocedim të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend, për themelimin e Gjykatës Speciale, Lëvizja Vetëvendosje është shprehur e gatshme për bashkëpunim, për alternativën e vetme, që kjo gjykatë të mos jetë vetëm për shqiptarët dhe të mos shkelet sovraniteti i Kosovës.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në konferencë për media tha është qartësuar alternativa e ardhshme, gjë për të cilën duhet të reflektojë Qeveria.

“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë, vetëm për një alternativë të re të Gjykatës Speciale, e cila nuk ka dy karakteristika: nuk është gjykatë vetëm për shqiptarët, nuk duhet ta ketë këtë karakteristikë vetëm për UÇK-në, dhe e dyta të mos e shkelë sovranitetin e Kosovës duke e ndryshuar sistemin tonë gjyqësor. Të jetë brenda sistemit tonë gjyqësor dhe të mos jetë gjykatë etnike. Për këtë jemi të gatshëm të diskutojmë tërë ditën e tërë vitin”, tha Konjufca.

Paralajmërimin e Qeverisë, për riprocedim të ndryshimeve kushtetuese, Konjufca e cilësoi si fund të demokracisë dhe diktaturë.

“Cili është kuptimi i demokracisë dhe parlamentarizmit, nëse çështjet të cilat i procedon Qeveria duhet të kalojnë patjetër, ose me kërcënime, ose me shantazhe, ose me detyrime dhe shtrëngime? Çfarë kuptimi ka edhe vetë Kuvendi i Republikës së Kosovës si tempull i demokracisë, nëse çështja shtrohet kështu, ose duhet të votohet si thotë qeveria, ose nuk ka zgjidhje tjetër?!”, u shpreh ai.

Konjufca i quajti “binjakë siamezë” kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, duke thënë se me kërcënimet që po u bëjnë deputetëve të tyre, çdo ditë e më shumë po i ngjajnë njëri-tjetrit.

Top Channel