Kosovë, Qeveria nis punën për riprocedimin e Gjykatës Speciale

27/06/2015 00:00

Ende pa kaluar 24 orë nga dështimi i Kuvendit për të miratuar ndryshimet kushtetuese për formimin e Gjykatës Speciale, kryeministri Isa Mustafa ka ftuar mbledhje të kabinetit qeveritar për të vendosur për hapat e mëtejshëm.

Kryeministri Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi paralajmëruan se ditëve në vijim do të dërgojnë sërish në Kuvend amendamentet e njëjta kushtetuese, ndërsa paralajmëruan edhe konsultime me grupet parlamentare opozitare dhe me faktorin ndërkombëtar.

“Ne mendojmë se është mirë që në ditët në vijim, qeveria e Kosovës të bashkërendisë aktivitetet me Kuvendin e Kosovës, me Grupet Parlamentare, në mënyrë që të punojmë gjithë së bashku që në ditët në vijim të riprocedohet lënda e ndryshimeve kushtetuese, përkatësisht amendamenteve kushtetuese në Kuvendin e Kosovës dhe po ashtu të zhvillojmë edhe takim dhe biseda edhe me faktorin ndërkombëtar që është në Kosovës dhe të bashkërendisim me ta gjitha këto punë”, tha Mustafa.

Ndërsa zv/kryeministri Thaçi  tha se formimi i Gjykatës Speciale nga Kosova do të nënkuptonte një mandat të saj prej rreth pesë vite, teksa sipas tij, nëse Gjykata formohet nga Këshilli i Sigurimit ajo do të zgjasë 20 vjet.

“Vlerësoj se riprocedimi në kohën e duhur apo në ditët e ardhshme nga ana e Qeverisë është vendim i drejtë, nje vendim që duhet të kalojë përmes edhe një koordinimi ndërpartiak, por në të njëjtën kohë edhe të një konsultimi të ngushtë edhe me partnerët tanë ndërkombëtar. E ritheksoj edhe sot, është jetike për të ardhmen e vendit që të themelojmë ne Gjykatën Speciale, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe në asnjë rrethanë kjo çështje të mos kalojë tek oponentët e pavarësisë së Kosovës në Këshillin e Sigurimit”, shprehet Thaçi.        

Krerët e qeverisë së Kosovës thanë se procedimi tjeter i amendamenteve kushtetuese në Kuvend do të ndodhë pas një konsulte me ekspertët juridikë brenda Qeverisë dhe Kuvendit, pasi një gjë e tillë nuk ka ndodhur më parë në Kosovë.

Top Channel