“Blindohet” godina e qeverisë në Shkup, gardh 2 metra të lartë përreth

27/06/2015 00:00

Ndryshe nga Qeveria e Shqipërisë e cila dy vite më parë largoi kangjellat që rrethonin këtë institucion, në Shkup dy ditë më parë kanë filluar punimet për ngritjen e një gardhi të lartë dy metra rreth  selisë së Qeverisë.

Në pjesën e prapme të godinës ka filluar vendosja e shtyllave të betonit që shërbejnë për të mbajtur gardhin e hekurit, që përbën pjesën finale të projektit për ndryshimin e fasadës së qeverisë, e cila tashmë ka marrë pamje të stilit barok.

Përkrahësit e opozitës maqedonase të cilët prej 42 ditës kanë ngritur çadrat para kryeministrisë dhe po kërkojnë largimin e Gruevskit, thonë se rrethimi me shufra hekuri nuk e shpëton atë nga përgjegjësia për dëmin që ia ka shkaktuar vendit.

“Kjo është çmenduria e radhës e Gruevskit. Gjithçka që ai e vendos është e pakuptimtë. Gruevski frikësohet nga populli i tij, prandaj ka vendosur të blindohet. Mendoj se gardhi i është futur në psikologjinë e tij pas ai ka frikë nga qytetarët”, thotë një protestues i opozitës.

“Ky gardh nuk mundet të më ndalojë mua, por unë nuk kam për qëllim ta kalojë atë apo ta dëmtojë atë. Unë kam ardhur këtu që Gruevski ta kuptojë se populli nuk pajtohet me të”, shton një tjetër.

Zyrtarisht, kostoja e gardhit rreth godinës së Qeverisë së Shkupit pritet të arrijë në 700 mijë euro. Menjëherë pas fillimit të punimeve pati shumë reagime edhe rreth stilit të gardhit, pasi disa media lokale kanë informuar se shufrat e hekurit do të përmbajë elemente fetare dhe në majë të tyre do të vendoset kryqi si simbol i krishterimit.

Por, këto shkrime i ka demantuar zyra për Punë të Përgjithshme pranë Qeverisë, duke sqaruar se dekorimet në majë të shufrave janë lule zambaku, që i përshtaten stilit arkitektonik.

Top Channel