Marrëveshja me Iranin, në fazën përfundimtare

27/06/2015 00:00

Marrëveshja bërthamore me Iranin është drejt përfundimit. Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry dhe ministri i Jashtëm, Mohammad Javad Zarif ndodhen në Vjenë për t’i paraprirë afatit të fundit të ujdisë, që është dita e martë.

Të dy zyrtarët e pranuan se ka ende shumë punë për të bërë dhe nuk dihet nëse kjo hapësirë kohore është e mjaftueshme.

Perëndimi kërkon që të ketë një kontroll mbi programin bërthamor të Teheranit, që ky i fundit të mos ketë asnjëlloj qëllimi për të ndërtuar arme bërthamore. Por për zyrtarët e Iranit, kjo gjë nuk do të ndodhë sepse ata kanë qëllime paqësore,mjaft që Perëndimi t’u heqë barrën e sanksioneve ekonomike.

Ministri i jashtëm Zarif deklaroi se sa më shumë të rritet numri i kërkesave nga ana e SHBA, aq më shumë do të shtrihet në kohë marrëveshja për programin bërthamor.  Ndërkaq, mes palëve ekzistojnë disa mospajtime dhe dallime të rëndësishme në koncepte, sidomos në lidhje me kohën për të hequr sanksionet ndaj Iranit, si edhe për natyrën e  monitorimit për të siguruar se Teherani nuk do të mashtrojë për asnjë nga pikat e  marrëveshjes.

Përveç Iranit dhe SHBA, bisedimet përfshijnë Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Ministrat e jashtëm nga të gjitha këto vende priten të mbërrijnë në Vjenë në ditët e ardhshme për të parë nga afër sesi shkon progresi i bisedimeve.

Top Channel