KQZ-ja merr 42 ankesa për zgjedhjet. Kutitë e Malësisë së Madhe do të numërohen në Tiranë

28/06/2015 00:00

Plot një javë nga mbajtja e zgjedhjeve vendore, numërimi për këshillat bashkiakë nuk ka përfunduar ende. Malësia e Madhe, bashkia më problematike e këtyre zgjedhjeve, mbajti peng përfundimin e procesit në të gjithë vendin.

Shkak për të cilin, 20 kutitë e fundit të kësaj njësie, me vendim të KQZ-së, mbërritën në Tiranë për t’u numëruar në kryeqytet, pas një jave tensioni në ZAZ-në e kësaj bashkie.

Përfundimi i numërimit të këtyre kutive që nuk ndryshon më rezultatin në këtë njësi, do të deklarojë të mbyllur zyrtarisht procesin e 21 Qershorit.

Tani, fokusi është tryeza e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pranë këtij institucioni, kanë mbërritur tashmë 42 kërkesa ankimore. Pjesa më e madhe janë ankime të partive të vogla apo të të pavarurëve për rezultatin e këshillave bashkiakë. Në këtë mori ankimimesh, bie në sy kërkesa e PD-së për përsëritje të zgjedhjeve në Tepelenë, ku fitues në këtë bashki u shpall kandidati i majtë. Ashtu siç pritej, demokratët kanë ankimuar gabimin në shtypjen e fletës së votës në këtë njësi, ku kandidati i djathtë mbante të njëjtin numër rendor në fletë me kandidatin e majtë.

Demokratët pretendojnë në këtë ankimim se kjo ka ndikuar në vullnetin e zgjedhësve duke deformuar sipas tyre votën. Për këtë, demokratët kërkojnë ripërsëritje të zgjedhjeve në këtë bashki. Kërkesa për ripërsëritje të zgjedhjeve ka mbërritur në KQZ edhe për dy bashki të tjera.

Në Bashkinë Këlcyrë është kandidati i pavarur që u mbështet nga PD-ja i cili kundërshton rezultatin dhe në Bashkinë Kurbin është vetë Selia Blu që kërkon ripërsëritje të zgjedhjeve. Demokratët kërkuan çregjistrimin e Altin Bibës, i cili dha dorëheqje vullnetare, por duke qenë jashtë afateve ligjore mbeti i shënuar në fletën e votimit. 

Bashkia e Kurbinit pritet të jetë kërkesa ankimore që PD-ja do të këmbëngulë më fort për ripërsëritje të zgjedhjeve. Ndërsa një sërë kërkesash të tjera janë paralajmëruar, si Bashkia Mat, Bashkia Kamëz, ndërsa më pikantja pritet të jetë kërkesa e LSI-së për Bashkinë Vorë, për të cilën edhe prokuroria ka hapur hetime për lëvizje fiktive të zgjedhësve me qëllim ndikimin në rezultatin e zgjedhjeve.

Megjithëse duken të shumta në numër kërkesat ankimore, procesi i 21 Qershorit ka prodhuar më pak kontestime se proceset paraardhëse elektorale.

Top Channel