Ja si u arrestuan dy vëllezërit Aliko

28/06/2015 00:00

Që prej orës 16:00 të pasdites së të shtunës, rreth 500 forca policore kanë rrethuar zonën e Kardhiqit në Gjirokastër, ku – mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative – rezultonte se dy vëllezërit Aliko po lëviznin në drejtim të grykës për në zonën e fshatrave të Çepos.

Policia i ka pikasur, iu ka bërë thirrje të dorëzohen, por dy vëllezërit janë futur në një zonë me shkurre e rrepa.

Në drejtim të vendit, ku ata fshiheshin, është nisur drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, me një helikopter të ushtrisë, e së bashku me drejtorët Ardian Çipa dhe Altin Qato kanë drejtuar gjithë operacionin.

Helikopteri ka bërë transportin e forcave RENEA nga Kardhiqi, për t’i dislokuar në të gjitha pikat periferike, duke krijuar në këtë mënyrë një perimetër sigurie dhe rrethimin e zonës.

Forcat RENEA, për dy orë me helikopter kanë krehur zonën e dyshuar ku fshiheshin të kërkuarit, ndërkohë që FNSH dhe forca të tjera po ngushtonin perimetrin e sigurisë. Forcat RENEA kanë përdorur edhe negociatat për të bërë të mundur daljen e tyre nga vendi ku ishin fshehur.

Pas disa orë negociatash me të shpallurit në kërkim dhe, teksa gjendeshin në rrethim të plotë, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i tyre.

Top Channel