BBC ka mësuar se Banka Qendrore Europiane (BQE) pritet t’i japë fund brenda ditës së sotme huadhënies së emergjencës për bankat greke. Burime pranë këtij institucioni i thanë gjigandit mediatik se vendimi për mbylljen e asistencës urgjente të likuiditetit do të bëhet publik më vonë nga bordi drejtues i BQE-së.

Bankat greke janë gjerësisht të varura nga ky mekanizëm, bllokimi i të cilit rrezikon ta shtyjë vendin jashtë Eurozonës. Megjithatë, disa analistë ekonomikë mendojnë se BQE-ja vetëm sa do t’i vërë një limit këtij fondi, por nuk do ta pezullojë krejtësisht.

Dorëzania për Greqinë të zhytur në borxhe skadon të martën dhe deri tani, bisedimet mes palëve nuk kanë prodhuar asnjë marrëveshje. Nëse BQE-ja vendos t’i japë fund vërtet asistencës së saj, bankat greke që nesër do të gjenden përballë vështirësish të mëdha.

Sipas BBC, me shumë mundësi bankat greke do e bëjnë pushim të hënën, duke pritur vendosjen e kontrollit të kapitalit, që ka të bëjë me sasinë e parave që klientët mund të tërheqin nga bankat.

Në javët e fundit, grekët kanë tërhequr miliarda euro nga bankat, dhe në bankomate ka pasur radhë të gjata të shtunën, nga frika se bankat nuk do të hapen të hënën.

Top Channel