Lezhë, çohet për gjykim dosja ndaj shtetasit të akuzuar për rrëmbim personash

28/06/2015 00:00

Prokuroria e Lezhës ka përfunduar hetimin dhe ka dërguar për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Gjokë Gjinaj, i akuzuar se ka rrëmbyer dy shtetas malazezë, me qëllim marrjen e një shumë prej 20 mijë eurosh në këmbim të lirimit të tyre.

Ngjarja ka ndodhur në Shëngjin më 4 tetor të vitit 2013, kur dy shtetasit malazezë Ivan B. dhe Momir Sh. kishin ardhur në Shqipëri për të takuar një grua shqiptare, me të cilën Ivani kishte menduar të njihej dhe të martohej.

Por ky takim ka dështuar dhe i akuzuari Gjinaj, i cili është prezantuar si “vëllai” i gruas, me të cilin kishin menduar të takoheshin, i rrëmbeu dhe u kërkoi shumën e parave në këmbim të lirimit.

Pas rrëmbimit fillestar, i pandehuri Gjonaj ka liruar fillimisht shtetasin Momir, duke i kërkuar që të shkonte në Mal të Zi dhe të kthehej me shumën prej 20 mijë eurosh, në këmbim të lirisë së kunatit të tij Ivan.

Shtetasi Momir, pasi shkon në Mal të Zi, njofton autoritetet policore atje për ngjarjen, të cilat vihen në kontakt me autoritetet shqiptare. Pasi u vonua kryerja e pagesës, i pandehuri, duke krijuar dyshimin se mund të ishin njoftuar autoritetet policore, e ka liruar edhe shtetasin Ivan, ndërkohë që është fshehur gjatë gjithë hetimit ndaj tij.

Pak ditë më parë, Prokuroria e Lezhës dërgoi çështjen për gjykim, ndërkohë që në datën 25 qershor 2015, Policia ka arritur të arrestojë të pandehurin, i akuzuar për veprën penale “Rrëmbim, ose mbajtje peng e personit, në rrethana lehtësuese” në bashkëpunim.

Top Channel