Londër, pengohet ekstradimi i vrasësit shqiptar. Është 15 centimetra më i shkurtër

28/06/2015 00:00

Gjykata e Lartë në Londër ka bllokuar kërkesën për ekstradim të një vrasësi të dyshuar shqiptar, pasi të dhënat e tij nuk përputhen me personin që kërkohet.

Ndërkohë që shenjat e gishtërinjve të personit të kapur janë identike, ai dhe avokatët e shqiptarit të dyshuar për vrasje pretendojnë se gjatësia e tij trupore është rreth 15 centimetra më e shkurtër se ajo e personit që kërkohet nga drejtësia shqiptare.

33-vjeçari Aleks Kola u arrestua në një qytezë në veri të Londrës në korrik të vitit 2013, me dyshimin e një sulmi fizik ndaj personit, por në momentin që iu morën gjurmët e gishtërinjve, të cilat duhet thënë se janë unike për çdo individ, ato rezultuan identike me ato të Lekë Prendit, i cili kërkohet nga autoritetet e Tiranës për vrasjen brutale të një prifti në vitin 2000, për të cilën është dënuar me 21 vjet heqje lirie.

Sipas shtypit britanik, Aleks Kola këmbëngul se kemi të bëjmë me një identitet të gabuar, ndërkohë që Gjykata e Lartë në Londër ka bllokuar ekstradimin e tij në Tiranë për shkak se dosja e Interpolit të tij ishte plot me gabime dhe nuk garantonin se personi i saktë ishte ai që ndodhej në gjendje arresti nga autoritetet britanike.

Në dosjen e Interpolit ndodhet një foto e zbehtë e Prendit, e cila ishte marrë kur ai ishte adoleshent dhe nuk përngjante fare me Aleks Kolën. Gjykatësi Aikens i Gjykatës së Lartë vuri në pikëpytje në vendimin e tij besueshmërinë e informacionit të ofruar nga autoritetet shqiptare.

Një përfaqësues i Prokurorisë Mbretërore që vepron në emër të qeverisë shqiptare deklaroi se z.Prendi do të mbahet në gjendje arresti gjatë dy javëve të ardhshme, ku do të kërkohet apelimi i vendimit.

Top Channel