Historitë e turistëve, viktima të terrorizmit në Tunizi

28/06/2015 00:00

Carly Lovett ishte e para viktimë e identifikuar e sulmit, në atë që shumë media sot e quajnë “plazhi i terrorit”. Anglezja 24-vjeçare nga Gainsborough, fotografe dhe “beauty blogger”, nuk kishte shumë që ishte fejuar.

“Më pëlqen të përjetoj gjëra të reja, – ka shkruar për herë të fundit në blogun e saj. – Nuk më intereson shumë perfeksioni; edhe pluhurin e syve e hap me gisht”.

Adrian Evans e kishte ditën e parë të pushimeve. Duhet të shijonte edhe 6 të tjera në atë plazh, bashkë me nipërit e tij, Owen dhe Joel Richards. Punonte në kompaninë publike të gazit në Sandwell, ku e kujtojnë si njeri të papërtuar. Pushimet e tij nuk do të përfundonin në Tunizi. Përpara kthimit në shtëpi, ai kishte planifikuar të kalonte edhe një javë në Francë.

Infermierja Lorna Carty kishte zbritur vetëm atë ditë në plazh. I shoqi i sëmurë kishte zgjedhur të qëndronte në hotel. Pushimet e çiftit në Tunizi ishin një dhuratë për të festuar suksesin e operacionit në zemër, që bashkëshorti i saj Declan kishte bërë javë më parë. Në shtëpi i prisnin djali Simon, 21 vjeç, dhe vajza 18-vjeçare Hazel.

Ndërkohë, Eileen Swannack dhe John Welch ishin të mësuar me hotelin “Imperial Marhaba”. 70-vjeçarja dhe i shoqi 74 vjeç kishin 8 vite radhazi, që merrnin avionin për të pushuar në këtë plazh të Sousse-s. Ishte nipi që dha alarmin për ta, sepse nuk kishin telefonuar në shtëpi siç bënin rregullisht.

Këta janë vetëm disa prej britanikëve, që humbën jetën në mënyrën më absurde të mundshme në Sousse të Tunizisë.

Megjithatë, mes historive të mbërritura prej resortit të përgjakur të premten, ka edhe rrëfime mbijetese e heroizmi. 30-vjeçari Matthew James nga Kardifi po lufton me vdekjen në spital, pa e ditur se emri i tij ka pushtuar faqet e gazetave në vendlindje, si ai i personit që mbuloi të shoqen me trupin e vet.

Matthew mori 3 plumba në bark dhe, ashtu i gjakosur, i thirri Saera Wilsonit të vraponte për në hotel. “U thuaj fëmijëve se babi i do shumë”, ishin fjalët e tij. “Sapo filluan të shtënat, ai u hodh të më mbronte, – rrëfen 26-vjeçarja. – Falë tij, unë jam gjallë sot”.

Fatkeqësisht, bilanci i vdekjeve nga sulmi i dy ditëve më parë mund të rëndohet edhe më shumë, për shkak se në spital ka ende persona që mbeten në gjendje kritike për jetën.

Top Channel