Kamera e fshehur, Paris Hilton frikësohet për vdekje

28/06/2015 00:00

Paris Hilton ka rënë viktimë e një kamere të fshehtë. Aktori egjiptian, Ramez Galal, i cili është autor i emisionit “Ramez Wakel Elgaw” në një televizion egjiptian, ka frikësuar Hiltonin duke inskenuar një rrëzim avioni, në të cilin ishte edhe bjondja.

Hilton ishte ftuar për një fluturim 15-minutësh me një avion të vogël për të parë nga sipër Dubain, por vetëm disa minuta pasi avioni kishte nisur të fluturojë, pilotët nisin të bëjnë manovra duke simuluar një gjendje rreziku.

Në video tregohen Hilton dhe udhëtarët e tjerë të cilët përfshihen nga paniku dhe bërtasin, ndërkohë që ndizet alarmi dhe avioni fillon të bjerë poshtë. Njëri prej udhëtarëve hap derën nga mbrapa të avionit, në mënyrë që të lëshohen me parashutë, ndërsa Hilton bërtat duke thënë: “Jo. Nuk dua të kërcej”.

“Rrëzimi” i avionit, që zgjat për pesë minuta, është vërtet i frikshëm. Paris fillon të qajë dhe të bërtasë, ndërsa në momentin kur avioni zbret i sigurtë, Galal i prezantohet dhe i tregon se ishte një lojë.

Hilton që nuk e merr veten, me lot në sy i thotë: “Do të të vras! Për pak mendova se do të vdes. Kjo ka qenë frika ime më e madhe ne jetë, se do të vdes në një avion”.

Nuk dihet se kur do të publikohet videoja e plotë, pasi tani qarkullojnë vetëm disa minuta nga kjo kamerë e fshehtë. Galal realizon këtë emision për muajin e Ramazanit, ndërsa ky është viti i katërt i emisionit të tij.

Top Channel