Greqia, në prag të daljes nga Eurozona. Komentet, pas vendimit për referendum

28/06/2015 00:00

Më shumë se 5 vite pasi Greqia hyri në programin e saj të parë të dorëzanisë, vendi sot duket po aq afër daljes nga Eurozona sa ka qenë në çdo moment kulminant të krizës së tij.

Vendimi i Aleksis Tsiprasit për të shpallur referendumin i çuditi huadhënësit, e mbase edhe shumicën e grekëve. Thuhet se nismën e kryeministrit grek, negociatorët në Bruksel e kanë mësuar në Twitter.

Në fakt, shumë elementë të bëjnë të mendosh se Tsiprasi nuk kishte për të rënë dakord me ultimatumin e bllokut. Politikisht, ishte në interesin e tij të rezistonte deri në një fazë tjetër me qëllim për të marrë nga negociatat marrëveshjen më të mirë të mundshme për vendin e tij. Dhe, si figurë e tipit “Che Guevara”, që e shpërfaq veten – shkruajnë mediet britanike, – ishte e qartë se nuk do të hiqte dorë nga idealet duke luftuar deri në fund.

Megjithatë, vendimi i tij për t’ua lënë grekëve të vendosin të dielën e ardhshme, që do të thotë 5 ditë pas skadimit të afatit të shlyerjes së borxhit, ka shkaktuar shqetësim. Një shtyrje e datës do të kërkonte ratifikim në Parlamentet e vendeve të përfshira, ku bën pjesë dhe “Bundestag”-u gjerman. Ministri i Financave, Wolfgang Schaeuble, deklaroi që në fillim se, e sheh të pamundur marrjen e mbështetjes së nevojshme parlamentare.

Një koment i analistes Barbara Wessel tregon një tejngopje me situatën e Greqisë. Në fund, ministrave të Financave të Eurogrupit nuk iu desh më shumë se dy orë për t’i treguar derën homologut të tyre grek. “Leksioneve” të Janis Varoufakis nuk ua vuri më veshin njëri.

Përkundrazi, të 18 anëtarët e tjerë të bashkimit monetar mbajtën qëndrim ndaj sjelljes së qeverisë greke. Pesë herë në 10 ditë ishin thirrur në Bruksel, vetëm për t’u ndeshur me kokëfortësinë dhe fundamentalizmin e radikalëve nga Greqia, shkruan analistja gjermane.

Menjëherë pas samitit në Bruksel, Kancelarja Angela Merkel bëri edhe njëherë thirrje, që Athina të pranojë ofertën e huadhënësve, e cila është jashtëzakonisht bujare, kujton Wessel. Por vetëm disa orë më vonë erdhi përgjigjja e referendumit dhe rekomandimi i Tspirasit, që populli i tij ta refuzojë propozimin.

Nga këndvështrimi diplomatik, – thekson opinionistja, – kjo është paturpësia më e madhe, që mund të imagjinohet. Qeveria greke ndoshta shpreson ende, që udhëheqësit europianë të jenë duke luajtur me blofin, e në fund të pranojnë shtyrjen e afatit, por nuk dihet nëse vërtet do të jetë kështu. Edhe njëherë, Greqia përballet me 48 orë të tjera kritike për atë vetë dhe për të ardhmen e saj në zonën e monedhës së përbashkët.

Top Channel