Haradinaj, sërish kundër Gjykatës Speciale: Nuk ka më mundësi të kthehet për votim

28/06/2015 00:00

Për kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është koha që Kosova të marrë përsipër sistemin juridik, pasi ndërkombëtarët – sipas tij, – kanë dështuar në këtë çështje.

Në një konferencë për mediet këtë të dielë, Haradinaj shtoi se vendimi i Parlamentit për të mos e votuar Gjykatën Speciale është tregues se, Kosova nuk dëshiron një gjykatë të huaj dhe aq më tepër një gjykatë, e cila do të gjykojë vetëm shqiptarët.

“Kjo është një porosi e qartë mendoj dhe vjen, pasi Kosova ia ka dhënë mundësinë OKB-së, që për 9 vite të bëjë gjyqësi. Ia ka dhënë mundësi tribunalit, për aq sa ka ekzistuar, dhe në fund ia ka dhënë edhe BE-së. Pra tri herë, Kosova ua dha të drejtën partnerëve ndërkombëtarë të na ndihmojë në gjyqësor. Në rast se në këto tri raste s’mundën të na ndihmojnë, Kosova nuk dëshiron më t’ua japë këtë të drejtë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Subjekti politik që drejtohet nga Haradinaj e ka kundërshtuar vazhdimisht krijimin e Gjykatës Speciale, bashkë me Vetëvendosjen dhe Nismën për Kosovën. Haradinaj priti gjatë paradites në selinë e AAK-së, kryetarët e dy subjekteve të tjera, Visar Ymerin dhe Fatmir Limajn, të cilët – siç tha, – ndajnë të njëjtin qëndrim, se çështja nuk mundet më të rikthehet në Kuvend, siç është paralajmëruar nga qeveria.

“Ka vendosur Parlamenti dhe kjo nuk kthehet më. Nuk ka më si të kthehet, e di më së miri kryeministri këtë. Ne sot kishim një takim me opozitarët, jemi për një gjykatë të Kosovës dhe gjyqësi jo selektive. Nuk pranojmë të bisedojmë në terma të tjerë”, tha Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.

Kuvendi i Kosovës votoi të premten kundër krijimit të Gjykatës Speciale, përkatësisht amendamenteve për ndryshimin e Kushtetutës. Përveç opozitës, e cila nuk mori pjesë në votim, kundër votuan 7 deputetë nga radhët e PDK-së dhe dy të tjerë abstenuan.

Top Channel