Irinej në festën e Vidovdanit: Serbia pa Kosovën, një e vdekur pa shpirt e zemër

28/06/2015 00:00

“Toka e Kosovës është tokë serbe derisa atje të ketë shenjtorë serbë dhe trashëgimtarë të martirëve të rënë”, kështu deklaroi patriarku serb, Irinej të dielën në festën e Vidovdanit apo siç njihet “Beteja e Kosovës”.

“Derisa të ekzistojë Stefani i Deçanit në Deçan patriarkana e Pejës, Graçanica e mbretit Milutin dhe Gazimestani dhe të gjithë ata që ranë për fe, kjo tokë nuk mund të jetë e askujt, por e trashëgimtarëve të tyre”, tha patriarku Irinej.

Në fjalimin e tij pas liturgjisë së shenjtë, të cilën e shërbeu në portën e Manastirit në Graqanicë, patriarku tha  se Serbia pa Kosovën nuk është Serbi. “Çka është Serbia pa Kosovën? Është një e vdekur pa shpirt dhe zemër” tha patriarku serb.

Në manifestimin në Gazimestan morën pjesë rreth 1500 serbë, shtetas të Kosovës dhe të ardhur nga Serbia. I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe mitropoliti i Malit të Zi, Amfilohije Radoviç. Ai tha  se Car Lazari dhe Skënderbeu kanë luftuar për të njëjtin ideal; për largimin e osmanëve prej Ballkanit.

Ndërkohë, zyrtarët serbë, kryeministri Vuçiç dhe shefi i zyrës serbe, Marko Gjuriq, edhe pse e kishin paralajmëruar pjesëmarrjen, ata nuk ishin të pranishëm në Gazimestan.

Top Channel